MENU

Ç'po ndodh?

Dialogu Kosovë-Serbi, SHBA merr rolin udhëheqës?

25.06.2019 - 09:31

Prishtina dhe Beogradi nuk e përjashtojnë mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin rolin vendimtar në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Fuqizimi i rolit amerikan, shihet si i domosdoshëm pasi që Bashkimi Evropian po konsiderohet si një partner më pak i fuqishëm për t’i drejtuar palët drejt një marrëveshjeje të mundshme.

Ndërkohë, edhe roli i Gjermanisë dhe Francës, po konsiderohet se është zbehur pas mosarritjes së mbajtjes së takimit të Parisit më 1 korrik, ku presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane, Angela Merkel kishin planifikuar t’i ftonin palët në një takim të nivelit më të lartë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar të hënën në Prishtinë se pas, siç e ka quajtur ai, dështimit në Berlin dhe mosmbajtjes së takimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Paris më 1 korrik, të dy shtetet, si Kosova ashtu edhe Serbia, kanë bërë hapa mbrapa në perspektivën e tyre.

Thaçi konsideron se pavarësisht zhvillimeve në rajon e më gjerë duhet të ketë unitet më të madh brenda në Kosovë.

“Për dështimin në Berlin dhe Paris, të dy vendet nuk kanë fituar bash asgjë, të dyja kanë bërë nga një hap mbrapa në perspektivën evropiane”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i bëri këto komente në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).

Ai tha po ashtu se tash kur Bashkimi Evropian, sipas tij është më i dobët, duhet t’u bëhet thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një rol më aktiv në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

“Mendoj se duhet të jetë thirrje e jona për një rol më aktiv të SHBA-së dhe një koordinim më të mirë me Bashkimin Evropian, kur shohim se nuk ka një unitet brenda BE-së dhe kemi të bëjmë me një Bashkim Evropian më të dobësuar. Po ashtu, shohim edhe nga opinioni publik se besimi i qytetarëve për ketë proces për BE-në nuk kalon mbi 40 % ndërsa për SHBA-të mbi 80%, kështu që një koordinim i tillë do të mund të kishte sukses”, tha Thaçi.

Profesori i shkencave politike në universitetin Saint Mary në Londër, James Ker Lindsay, tha për Radion Evropa e Lirë se partneri kryesor në dialogun Kosovë – Serbi duhet të jetë Bashkimi Evropian, pavarësisht faktit se Uashingtoni tash për tash shihet si partneri vendimtar në këtë proces.

“Partneri kryesor duhet të ishte Bashkimi Evropian. Mirëpo pozita e BE-së në këtë rast është dobësuar. Pse? Ne jemi në fund të mandatit të Komisionit (Evropian) dhe personat dhe autoriteti që merret me këto bisedime janë duke u larguar. Ju keni ndarje të mëdha për këto çështje në Prishtinë për të ardhmen e dialogut. Papritur roli i SHBA-së bëhet rol udhëheqës, mirëpo çdo gjë duhet të bëhet për anëtarësim në BE. Anëtarësimi në BE duhet të jetë ajo çka e shtyn përpara gjithë këtë proces të dialogut”, tha Lindsay.

Ai konsideron se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të kenë rol konstruktiv dhe pozitiv. E vetmja mënyrë, sipas tij, që gjërat të kryhen mes Prishtinës dhe Beogradit është që komuniteti ndërkombëtar të jetë i bashkuar dhe SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian të punojnë së bashku.

“Për momentin ne nuk po shohim një gjë të tillë. Ne po shohim ndarje brenda BE-së, po shohim dallime të mëdha mes vendeve të BE-së dhe SHBA-së. Gjermania dhe Britania e Madhe kanë një pozicion që nuk është i njëjtë me SHBA-në. Franca ka një pozicion tjetër. Komisioni Evropian ka një pozicion të ngjashëm me atë të SHBA-së, mirëpo Gjermania është kundër atij pozicioni të Komisionit Evropian. Për momentin asgjë nuk do të ndodh para se të kalohen këto ndasi”, tha Lindsay.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se nuk është reale që vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi.

“Tash për tash nuk ka paralajmërime për çfarëdo ndryshimi të formatit të dialogut. Bashkimi Evropian e moderon këtë dialog”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se nëse arrihet marrëveshja eventuale, ajo duhet të verifikohet (miratohet) në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Në këtë fazë, tash nuk është paraparë që dikush nga ta të marrë pjesë në vet dialogun. Është vështirë e pritshme që vetëm Shtetet e Bashkuara të përfshihen në dialog dhe që askush tjetër të mos përfshihet. Kjo nuk është reale”, ka thënë Daçiq në një konferencë për gazetarë me shefen e diplomacisë së Norvegjisë, Ina Eriksen Soreide.

Sipas tij, për Beogradin është me rëndësi kyçe që të arrihet deri te zgjidhja me kompromis për çështjen e Kosovës, por që ajo zgjidhje nuk mund të jetë “me imponim”, gjegjësisht që Serbia ta pranojë Kosovën në gjithë territorin e saj.

“Serbia nuk po vë pengesa për vazhdimin e dialogut, ne vetëm po kërkojmë që të largohet pengesa ekzistuese, në mënyrë që të vazhdohet me dialogun”, theksoi Daçiq.

Daçiq ka vlerësuar se me shtyrjen e takimit të liderëve të Serbisë dhe Kosovës në Paris, “është lëshuar rasti që të zhbllokohet dialogu”.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se përmbyllja e dialogut politik me Serbinë me arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obligative, që sipas tij, nënkupton njohje reciproke, është interes nacional i Kosovës.

“Nuk kam kurrfarë dyshimi që marrëveshja mund të arrihet këtë vit, marrëveshje ligjërisht obligative mes Kosovës dhe Serbisë, por nëse nuk ndodh, do të hyjmë në një fazë të rrezikshme të këtyre raporteve, e cila edhe mund të destabilizojë jo vetëm raportet tona si dy shtete, por edhe rajonin”, është shprehur ai.

Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme për dialog, në mënyrë që, siç është shprehur ai, njëherë e përgjithmonë të qartësohet raporti me shtetin e Serbisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel ka nisur më 2011.

Aktualisht ky proces është bllokuar pasi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka përmendur taksën prej 100 për qind, që, Qeveria e Kosovës ka vendosur në importet e Serbisë, si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në anën tjetër ka thënë se kjo masë do të vazhdojë së aplikuari derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës.

“Fatkeqësisht, situata dhe zhvillimet e fundit nuk janë aspak premtuese. Gjërat nuk po lëvizin fare dhe aktualisht jemi duke vendnumëruar, përkundër iniciativave të fundit për të zhbllokuar dialogun, rezultati është zero. Mungesa e dialogut dhe perspektivës për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, është rreziku ma i madh i mundshëm për sigurinë e stabilitetin për të dy vendet dhe rajonin”, ka shtuar Thaçi.

Në hulumtimin që ka bërë Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka dalë se 32 për qind e qytetarëve të Kosovës e kanë përkrahur ndryshimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi ka ritheksuar që opsioni i ndryshimit të kufirit apo demarkimit të kufirit, ka siguruar përkrahjen më të madhe të qytetarëve të Kosovës, përkundër asaj që Thaçi e ka konsideruar fushatë negative të partive politike ndaj këtij skenari.

Por, ideja e Thaçit, për korrigjim apo demarkacion të kufirit me Serbinë, nga spektri opozitar në Prishtinë po konsiderohet edhe si opsion që mund të çojë në ndarje dhe ide për shkëmbim të territoreve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë në anën tjetër se plani i Serbisë për ndarjen e Kosovës ka dështuar, mirëpo sipas tij, ideja për këtë çështje ende është e gjallë./REL