MENU
klinika

Reagimi pas sanksioneve

Irani: Me SHBA-në s’ka më diplomaci

25.06.2019 - 14:23

Irani thotë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione ndaj udhëheqësit të saj suprem dhe zyrtarëve të tjerë të lartë është “idiot” dhe ka mbyllur përgjithmonë rrugën e diplomacisë midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Donald Trump ka urdhëruar sanksione të reja kundër udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei dhe zyrtarë të tjerë duke përfshirë tetë komandantë të Gardës Revolucionare.

Presidenti iranian Hassan Rouhani tha se sanksionet kunder Khameneit ishin “të egër dhe idiot”, veçanërisht pasi kleriku 80 vjeçar nuk ka pasuri jashtë shtetit dhe nuk ka plane për të udhëtuar ndonjëherë ne Shtetet e Bashkuara.

Ministri i jashtëm i Iranit, Javad Zarif, gjithashtu do të përballet me sanksione të reja brenda pak ditësh, thanë zyrtarët e SHBA. Ai negocioi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me SHBA dhe fuqi të tjera të mëdha, dhe që prej asaj kohe ka udhëhequr diplomacinë iraniane.

Duke nënshkruar një urdhër ekzekutiv në Zyrën Ovale, Trump tha “Këto masa paraqesin një përgjigje të fortë dhe proporcionale ndaj veprimeve gjithnjë e më provokuese të Iranit”.

“Ne nuk kërkojmë konflikt me Iranin apo ndonjë vend tjetër”, shtoi Presidenti i Shteteve të Bashkuara. “Unë vetëm mund t’ju them se ne kurrë nuk mund të lejojmë që Irani të ketë një armë bërthamore”.

Duke qëndruar pranë Trump, sekretari i thesarit, Steven Mnuchin, tha se masat do ti kushtonin miliarda dollarë Iranit. Por analistët thanë se ndikimi i tyre do të ishte i kufizuar.

“Sanksionet e reja të njoftuara të Iranit janë simbolike”, tha Jarrett Blanc, një ish-zyrtar i lartë i departamentit të shtetit tani në Carnegie Endowment for Peace International. “Kjo sigurisht që është e vërtetë … sepse njerëzit dhe subjektet e sanksionuara tashmë janë izoluar nga sistemi financiar ndërkombëtar”.

Trump tha se ishte i gatshëm të vazhdonte dialogun me Teheranin pa parakushte, por sanksionet duket se i bëjnë këto bisedime edhe më pak të mundshme, të paktën në afat të shkurtër.

Ambasadori iranian në OKB, Majid Takht-Ravanchi, tha: “Askush nuk mund të ketë dialog me dikë që ju kërcënon me sanksione”. Ravanchi I kërkoi sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, të ndërmjetësojë bisedimet rajonale që përfshijnë Iranin dhe fqinjët e saj.

“Zyra e liderit suprem është pasuruar në kurriz të popullit iranian”, tha sekretari i shtetit i SHBA, Mike Pompeo.

Tensionet kanë qenë në rritje pasi Trump tërhoqi SHBA nga një marrëveshje shumëpalëshe në të cilën Irani pranoi kufizime të rrepta në programin e saj bërthamor në këmbim të sanksioneve. Këto tensione kanë arritur kulmin me sulmin e dy cisternave në Gjirin Persik dhe rrëzimin e një avioni amerikan të enjten.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Trump kërkon të nisë bisedimet

Marrëdhëniet SHBA-Iran po përmirësohen