MENU
klinika

Panda, 'ambasadore e miqësisë'

Pse kinezët iu dhurojnë panda shteteve të tjera?

06.06.2019 - 16:30

Ariu panda është një nga simbolet e Kinës. Të gjithë e dinë se atdheu i këtij ariu të rrallë tepër të pëlqyer nga të gjithë është Kina.

Por shumë pak e dinë se panda quhet “ambasadorja e miqësisë” e Kinës dhe dhurimi i pandave nga Kina vendeve të tjera njihet edhe si “diplomacia e pandës”.

Që në dinastinë Tang, perandorja Wu Zetian (624-705) i dhuroi perandorit japonez dy panda për të forcuar marrëdhëniet miqësore dypalëshe.

Nga viti 1936 deri në vitin 1945, qeveria kineze u dhuroi vendeve perëndimore 14 panda. Pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, Kina u dhuroi me radhë nëntë vendeve 23 panda, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm për thellimin e miqësisë midis Kinës e vendeve të huaja.

Rasti më i njohur i “diplomacisë së pandës” ndodhi në vitin 1972, kur presidenti amerikan Riçard Nikson vizitoi Kinën. Kryeministri i atëhershëm kinez Çu En Lai vendosi t’i japë popullit amerikan dy panda si dhuratë shtetërore. Kur arritën në Kopshtin Zoologjik të Uashingtonit, pandat Lingling e Xingxing u pritën ngrohtësisht nga 8000 amerikanë dhe brenda një muaji ato u vizituan mbi 1 milion veta.

Edhe në vizitën e tij të fundit në Rusi, presidenti kinez Xi Jinping ka dhuruar dy panda për Kopshtin Zoologjik të Moskës.

Xi Jinping e quajti presidentin rus, Vladimir Putin, mikun e tij më të mirë. Vizita treditore në Moskë, është fokusuar te tregtia dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Vizita vjen ndërsa marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë trazuar nga një luftë e ashpër tregtare. Rusia, në anën tjetër, i ka hedhur sytë nga Lindja vite më parë, pasi lidhjet me Perëndimin u tensionuan si pasojë e konfliktit në Ukrainë.

Të dyja palët kanë nënshkruar një paketë marrëveshjesh tregtare, ndërkohë që Aleanca mes dy vendeve është përforcuar, që kur Moska dhe Pekini e panë veten të distancuara nga Europa, e veçanërisht nga SHBA.

Vizita e Xi Jinping në Moskë ka thelluar edhe më shumë bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik, me marrëveshjen kyçe të nënshkruar për lejimin e gjigandit teknologjik kinez, Huawei, për të zhvilluar rrjetin 5G në Rusi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një epokë e re për marrëdhëniet mes tyre

Rusi-Kinë bashkojnë forcat kundër SHBA-së

Një kundërshtar i përbashkët nuk mjafton...

Aleanca Kinë-Rusi është thjesht një iluzion…