Boris Johnson është zgjedhur lider i ri konservator në një votim të anëtarëve të partisë dhe do të bëhet kryeministri i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar.
Ai mundi Jeremy Hunt, duke fituar 92,153 vota ndërsa rivali i tij 46,656.Ish-kryebashkiaku i Londrës merr të mërkurën postin e Theresa May.
Johnson e filloi fjalimin e tij duke lavdëruar “parardhësen” e tij, duke thënë se kishte qenë “një privilegj që kishte shërbyer në kabinetin e saj”.
Ishin pothuajse 160,000 vota që përfaqësonin një normë të pjesëmarrjes prej 87.4%.
Fushata për të fituar pozitën e liderit të Partisë Konservatore dhe rrjedhimisht edhe të kryeministrit është dominuar nga diskutimet për Brexit. Hunt, Sekretar i Jashtëm britanik, ka thënë se synon të sigurojë një Brexit me marrëveshje. Johnson në anën tjetër ka thënë se kërkon që patjetër të largojë Britaninë nga BE-ja më 31 tetor, duke përfshirë mundësinë e largimit pa marrëveshje.
Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti, mirëpo fillimisht parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar duhet të miratojë kushtet e largimit. Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.
Ndërkohë, mijëra protestues dolën para pak ditësh në rrugët e Londrës qendrore në një marshim kundër Brexit dhe udhëheqjes së Boris Johnson.
Marshimi pro-evropian kishte në thelb “Jo për Borisin, Po Evropës”. Ata i kërkonin Boris Johnson të ndalonte kaosin e Brexit.