MENU
klinika

La Fonteni, ky mik i hershëm

Fabula që luante kukafshehti me politikën

08.07.2019 - 16:39

      Ka qenë miku ynë i pandashëm që nga fëmijëria, kurse kafshët e fabulave të tij, familja jonë: qengji, korbi, ujku, milingona, bretkosa, luani… nuk na kanë lënë asnjë çast vetëm. Por, çfarë dimë për La Fontenin, pa dyshim poetin më të madh të gjuhës franceze?

Përtej të qenit moralizues, La Fonteni është një rrëfimtar që na bën të mendojmë për pështjellimet e natyrës njerëzore, për të cilat nuk resht së dyshuari. Dhe çfarë nëse fuqia e fabulave ishte për të krijuar një shpengim të mendimit të lumtur?

 

 

 

Më 5 shtator 1661, u arrestua Nicolas Fouquet, inspektor i financave të Luigji XIV, i cili u akuzua për mashtrim dhe përgjatë procesit trevjeçar, qëndroi në burg. Rënia e Fouquet qe rrufe në qiell të hapur dhe fillimi i një revolucioni monarkik, sepse Luigji XIV do të tregonte plotfuqishmërinë e tij. Mazarin vdiq në pranverë, tashmë synonte të sundonte vetëm.

 

Për La Fontaine, ky arrestim qe një tronditje. Poeti, tashmë 40 vjeç, do të kishte qenë poet mbretëror, nëse Fouquet do kishte vijuar rrugëtimin e tij. Megjithatë, ai do t’i qëndronte besnik.

“Diversiteti është motoja ime”, – shkruan La Fonteni, i cili në të njëjtën kohë frekuenton jezuitët, oborrin mbretëror dhe eruditët libertinë.

 

 

 

 

Shohim se rënia e Fouquet e kombinuar me ndjeshmërinë letrare dhe psikologjike të La Fontenit nga ana estetike, e shtyn poetin drejt fleksibilitetit, shpejtësisë, ngjyrimeve, butësisë, gëzimit: vlera që e veçojnë atë nga racionalizmi dhe ashpërsia e absolutizmit. La Fonteni luan kukafshehti me shijen dhe politikën e epokës së vet.

 

 

 

“Poet para së gjithash. Ai flet për parajsën e gjetur, pastaj të humbur të Vaux, të dy identiteteve – të krishterit dhe të shthururit – të cilët bashkëjetojnë brenda tij dhe të gjithë krijimtarisë së tij, përbërë nga kontrapunkte”./Konica.al

 

 

Kafshët e Pyllit

Një e keqe e madhe që kudo përhapi tmerr, po bënte kërdinë midis kafshëve.

Nuk vdisnin të gjitha, por që të gjitha ishin goditur.

Dhe asnjë nuk po përpiqej t`i bënte derman jetës që po i shuhej.

Asnjë ushqim nuk nxiste më oreksin e tyre.

Tani as ujku, as dhelpra nuk gjurmonin gjahun e pafajshëm, të gjithë i shmangeshin njëri-tjetrit.

Nuk kish më dashuri, nuk kish më gëzim.

Luani i mblodhi të gjithë në këshillë dhe u tha:

– Miqtë e mi të dashur, unë besoj se këtë fatkeqësi na e solli qielli, për mëkatet që bëjmë.

Le të flijohet, pra, më fajtori nga ne ndaj goditjes së zemërimit hyjnor dhe, ndoshta, do të arrihet shpëtimi i përgjithshëm.

Historia na mëson që në rrethana si këto, bëhen flijime të tilla.

Të mos zhgënjehemi, pra, në këtë pikë. Le të shohim, pa u ndikuar nga ndjenjat gjendjen e ndërgjegjes tonë.

Sa më takon mua, për të kënaqur oreksin tim të pangopur kam gllabëruar shumë dele e desh.

C`më kishin bërë mua ata?

Asgjë të keqe.

Madje, më ka ndodhur që ndonjëherë të kem ngrënë edhe bariun.

Do të flijohem, pra, po qe nevoja, por unë mendoj që secili prej nesh të vetëakuzohet, ashtu siç bëra unë, pasi për të bërë drejtësi të plotë, koka i duhet prerë vetëm atij që është më fajtori.

– Madhëri, u përgjigj dhelpra, – ju jeni një mbret tepër i mirë.

Në ndërgjegjen tuaj ne vërejmë shumë ndershmëri.

Të hash desh e dele, këtë fare të përçmuar, të rëndomtë, mos, vallë, është ndonjë mëkat?

Jo, po! Ju u keni bërë atyre një nder tepër të madh, duke i kaluar dhëmbin tuaj, zotëri.

Për sa i takon bariut, duhet thënë se ai i meriton gjithë të këqijat.

Ai (dhe të tjerët) sillet ndaj kafshëve sikur të ishte perandori i tyre.

Këto tha dhelpra dhe lajkatarët duartrokitën.

Nuk u guxua më tej të bëheshin përcaktime të tepruara për tigrin, ariun e të tjerë të fuqishëm dhe rreth bëmave të tyre më të dënueshme.

Gjithë grabitqarët e tjerë, përfshirë këtu edhe qentë e thjeshtë rojtarë, dolën gjynahqarë.

I erdhi radha gomarit e ai foli:

– mua më kujtohet që kur po kaloja nëpër një livadh: uria, rasti i volitshëm, bari i njomë, besoj dhe ndonjë djall që më shtynte, bënë që të haja pak bar në atë livadh.

Dhe, meqënëse duhet folur hapur, them se nuk kisha asnjë të drejtë.

Menjëherë pas këtyre fjalëve, ndaj gomarit jehuan thirrjet: “të kryqëzohet!”.

Një ujk në rolin e akuzuesit, me fjalimin e tij provoi se kjo kafshë e mallkuar, ky rrjepacak, nga i cili u vinte më e keqja, duhej bërë kurban.

Mëkati i tij u gjykua i denjë për varje.

Të hash barin e të tjerëve!

C`krim i shëmtuar!

Asgjë përvec vdekjes nuk do të mund të shlyente krimin e tij.

Dhe ia treguan mirë vendin.

Sipas gjendjes, i fuqishëm apo i mjerë, vendimet e gjyqit do t`ju nxjerrin të bardhë apo të zi.

* Kjo më sipër është një nga fabulat alegorike të La Fonten, që shkruar vite më parë vë në lojë tiranët, lajkatarët, syleshët që gënjehen shpejt dhe viktimat.

 

La Fontaine

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zherar dë Nerval

Poeti i rastësisë

Shkrimtari Sharl Pero

Kolosi i përrallave magjiplotë