Që prej krijimit të Departamentit të Zhvillimit Ndërkombëtar të Mbretërisë së Bashkuar (DFID) 22 vjet më parë, ai ka hequr miliona njerëz nga varfëria, ka dërguar miliona fëmijë në shkollë dhe ka shpëtuar miliona jetë nëpërmjet programeve të vaksinimit dhe iniciativave të tjera inovative.
Kohët e fundit, ka qenë një lider botëror në dhënien e ndihmës zhvillimore për vendet e varfra që përballen me shkatërrimet e ndryshimeve klimatike.
Megjithatë, sipas një propozimi që tani po shqyrtohet nga ekipi i tranzicionit i kryeministrit të ardhshëm të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, DFID do të absorbohej në Zyrën e Jashtme dhe të Komonuelthit (FCO).
Ruajtja e DFID nuk është një çështje partiake, sepse ekziston një konsensus i jashtëzakonshëm në mbështetje të Koalicionit për Mirëqenien Globale në Mbretërinë e Bashkuar, që ka treguar se diplomacia dhe zhvillimi janë detyra të një rëndësie të njëjtë.
Por ka një argument edhe më të fortë dhe më urgjent për mbështetjen e një DFID të pavarur. Ish-Kryeministri britanik Winston Churchill i përshkroi Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe Komonuelthin si tre qarqet koncentrike të ndikimit britanik.
Kur britanikët kanë një zë të fortë në Evropë, ato merren më seriozisht nga amerikanët, thoshte ai.
Sidoqoftë, në shtatë dekadat që nga Lufta e Dytë Botërore, Britania shpesh ka neglizhuar një rreth të katërt që përfshin institucione shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Tregtisë. Roli i këtyre institucioneve në qeverisjen globale po sfidohet tani nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, atëherë kur bashkëpunimi ndërkombëtar është më i nevojshëm për të zgjidhur problemet e përbashkëta.Qeveria e Punës e 1997-2010 u përpoq të rivendosë influencën britanike në këtë fushë. Britania ndihmoi në krijimin e dy institucioneve të reja të rëndësishme: G20 dhe Bordi Global i Stabilitetit Financiar.
Dhe nëse Mbretëria e pas Brexit do të gëzojë ndikim ndërkombëtar dhe të jetë një “Britani botërore”, DFID është jetike.
Nëpërmjet DFID, Mbretëria e Bashkuar është gjithashtu një anëtar kryesor i Fondit Global dhe një mbështetës i lartë i Institucionit të ri Financiar Ndërkombëtar për Edukimin.
Duhet të themi se në mungesë të një DFID të fortë, Britanisë do t’i mungojë statusi për të udhëhequr në përpjekjet e rëndësishme globale të zhvillimit multilateral.
Një DFID i fuqishëm, institucionalisht i pavarur dhe i mirëfinancuar, tani është më shumë i nevojshëm se kurrë.
Pra, ndërsa Johnson parashikon që Mbretëria e Bashkuar pas Brexit do të ketë nevojë për një FCO shumë më të fortë për të ruajtur ndikimin e vendit jashtë vendit, rënia e DFID do të dëmtonte shumë ruajtjen e udhëheqjes sonë globale.