MENU
klinika

Fjalimi i kryeministres britanike

May mesazhe të koduara për Trump dhe Johnson

17.07.2019 - 19:26

Theresa May ka kritikuar absolutizmin në politikë në atë që duket të jetë një goditje e koduar për politikanët populistë si Boris Johnson, Nigel Farage dhe Donald Trump.

Kryeministrja mbajti një fjalim falënderues duke synuar ata që refuzojnë të bëjnë kompromis dhe të promovojnë ideologjinë absolutiste.

“Një paaftësi për të kombinuar parimet me pragmatizmin dhe për të bërë një kompromis kur kërkohet, duket se e ka shtyrë tërë diskursin tonë politik në rrugën e gabuar.

“Kjo ka çuar në atë që është, në fakt, një formë absolutizmi”, tha ajo, duke iu drejtuar një auditori në Londër.

May refuzoi të përmendte individë përgjegjës për absolutizmin brenda dhe jashtë vendit, por ajo hodhi poshtë idenë e Brexit pa marrëveshje që Johnson dhe Jeremy Hunt kanë kërcënuar në mënyrë të përsëritur nëse BE nuk u jep atyre një marrëveshje më të mirë.

Si kryeministre, ajo vazhdimisht tha “asnjë marrëveshje nuk është më mirë se një marrëveshje e keqe”.

May po ashtu kundërshtoi gjuhën e ashpër në politikë, duke theksuar se “fjalët e këqija të pakundërshtuara janë hapi i parë për veprat e këqija”.

Pas kritikave të saj për Trump për përdorimin e gjuhës raciste ndaj grave kongresiste të SHBA-së, May foli për populizmin në të gjithë globin.

“Ky absolutizëm nuk kufizohet vetëm në politikën britanike,” tha ajo. “Ai lulëzon në politikën anembanë botës”, tha ajo.

E pyetur drejtpërsëdrejti nëse ajo po fliste për Trump dhe Johnson, May tha se ajo nuk po synonte t’i drejtojnte vërejtjet e saj tek njerëz të veçantë.