Ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu deklaroi në fundjavë se fundi i bashkëpunimit mes Turqisë dhe Evropës do të kishte pasoja shkatërrimtare për stabilitetin e kontinentit.
Turqia ndihet e braktisur nga Europa në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, dhe kërcënon kontinentin e vjetër se mund ta paguajë shtrenjtë indiferencën ndaj saj.
“Nëse Turqia nuk do e trajtonte me vendosmëri këtë problematikë, asnjë qeveri në Europë nuk do të mund t’i mbijetonte valës së emigracionit të paligjshëm më shumë se gjashtë muaj” u shpreh Soylu.
Sojlu drejtoi ankesa edhe për qëndrimet e Bashkimit Europian për ta trajtuar vendin e tij si një qendër për refugjatët, ndërsa në këmbim nuk ka përmbushur detyrimet miliarda dollarë që palët kishin dakordësuar në vitin 2016.
Turqia konsiderohet një nyjë kryesore për personat që tentojnë të kalojnë në Europë për qëllime paqësore, veçanërisht nga viti 2011 kur nisi lufta civile në Siri.
Mësohet se rojat bregdetare të Turqisë shpenzojnë 70 për qind të kapaciteteve të tyre për ndalimin e emigrantëve dhe kontrabandistëve nga Lindja e Mesme, që në vitin 2018 arritën shifrën 268 mijë.
Qëndrimet e fundit vijnë në kohën kur ministrat e BE-së po mbajnë një samit në Paris pikërisht me fokus çështjen e emigracionit dhe masat që duhen marrë për emigrantët që shpëtohen në ujërat e Mesdheut.
Komisioni Evropian (KE) miratoi para pak ditësh një pako të re të masave për ndihmë në vlerë prej 1.41 miliardë euro, duke siguruar mbështetjen e BE-së ndaj refugjatëve dhe komuniteteve mikpritëse në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit së publikuar nga KE, programi do të fokusohet në sferën e shëndetësisë, mbrojtjes, mbështetjes socio-ekonomike dhe infrastrukturës komunale.
Në mars të vitit 2016, Turqia dhe BE-ja nënshkruan një marrëveshje për masa më të rrepta kundër trafikantëve të njerëzve dhe për dekurajim të migracionit të parregullt përmes Detit Egje si dhe përmirësimin e kushteve për refugjatët sirianë në Turqi, ku BE u zotua të ndihmojë Turqinë me 6 miliardë euro për miliona refugjatë të strehuar në vend.
Me mjetet e reja, vendet e BE-së vazhdojnë të japin mbështetjen e premtuar Turqisë, që strehon numrin më të madh të refugjatëve në botë, u citua të ketë thënë eurokomisari Johannes Hahn.