MENU
klinika

Befasi në Wimbledon

Numri 1 në botë eleminohet nga tenistja e panjohur!

08.07.2019 - 15:28

Numri 1 i botës në renditjen botërore në tenis për femra, Ashleigh Barty, është eliminuar nga turneu i Wimbledonit, duke u mundur në 3 sete, 3-6 6-2 6-3, nga amerikania e panjohur Alison Riske.

Barty, e cila vinte nga 15 fitore rresht, shihej si favorite e madhe për të fituar titullin në Wimbledon, që do të ishte i dyti i këtij viti, pas French Open në qershor, por Riske befasoi, në një sfidë ku Barty bëri shumë gabime.

Barty e nisi fuqishëm, duke marshuar në setin e parë, fituar 6-3.

Megjithatë, Riske tregoi guxim dhe durim, sepse në setin e dytë nuk lëshoi pe dhe kur Barty nisi të bënte gabime në shërbim, iniciativa kaloi te Riske, numri 55 në renditjen botërore.

Pas triumfit 6-2 në setin e dytë, Riske mori guxim dhe nuk u ndal më, duke triumfuar 6-3 në setin e tretë dhe duke kryer një tjetër përmbysje, pas asaj kundër numrit 13 të turneut, Belinda Bencic, në turin e shkuar.

Tani 29-vjeçarja Riske, e cila merr pjesë për herë të parë në karrierë në në çerekfinale në Grand Slam, do të përballet me Serena Williams.