MENU
klinika

Sfidat e kryeministrit të ri

Pse liderët europianë nuk e marrin seriozisht Boris Johnson?

24.07.2019 - 11:14

“Çfarë?”, ky ishte titulli në kopertinën e revistës Stern të Gjermanisë këtë javë nën një fotografi të një Boris Johnson të habitur.

Ndërkohë që amerikanët duket se nuk janë të sigurt se çfarë të thonë për kryeministrin e ri britanik (“Ai është i njohur për fjalë shumë të këndshme, dhe shumë të zgjuara”, tha një korrespondent për Radion Publike Kombëtare të SHBA-së të martën, duke shtuar se ai shkoi në Eton dhe Oksford dhe është “absolutisht pjesë e elitës së Britanisë”), evropianët nuk kanë dyshime se kush është me të vërtetë Johnson.

Në kontinent, reagimi ndaj ngjitjes së tij në zyrën më të lartë politike të Britanisë është shoqëruar më tepër me humor sesa shqetësim lidhur me atë që mund të sjellë mandati i tij. Nga Brukseli në Berlin, të gjithë duket se kanë një listë me “më të mirat e Borisit”.

Por, siç tregoi gjatë fushatës së tij për t’u bërë kryeministër, Johnson është më se i lumtur të shihet si një klloun.

Sfida e tij më e madhe në trajtimin me BE në javët dhe muajt e ardhshëm do të jetë të provojë se ka më shumë se kaq për të dhënë.

Pas viteve të të qeshurave me të, evropianët thjesht nuk e marrin Johnson seriozisht. Në këtë fazë, është e vështirë të imagjinohet se çfarë mund të ndryshojë mendjet e tyre.

Ndërkohë që evropianët mund të kënaqen duke u tallur me Donald Trump, ata gjithashtu respektojnë (dhe frikësohen) fuqinë e zyrës së tij. Por askush nuk ka frikë nga Johnson. Pavarësisht nëse e pëlqejnë apo jo (dhe shumica nuk e pëlqejnë), Trump ka ndikim të konsiderueshëm në Europë, si në aspektin e ekonomisë dhe sigurisë.

Por askush nuk ka frikë nga Johnson.

Megjithëse Britania mbetet një lojtare kyçe strategjike brenda Evropës, kjo mbështetje varet nga të dyja anët.  Kur është fjala për ekonominë, Britania është shumë më e varur nga BE-ja sesa anasjelltas.

Zgjedhja e Johnsonit si kryeministër do të bëjë më të lehtë për udhëheqësit e BE-së që t’i përmbahen kushteve të marrëveshjes që kanë negociuar me Theresa May, paraardhësen e tij.

Çfarëdo të metash kishte si kryeministre, May, ndryshe nga Johnson, gëzonte një reputacion në mesin e liderëve evropianë si një ndërmjetëse e ndershme.

Duke pasur parasysh rolin udhëheqës që Johnson luajti në fushatën Brexit, udhëheqësit europianë jo vetëm që nuk e besojnë kryeministrin e ri, por shumë e përçmojnë atë.

Mbështetësit e Johnson-it parashikojnë se ai do të merret me sfidat historike që përballet Britania, ashtu si idhulli i tij, Winston Churchill. Ashtu si Johnson, Churchill u prit me skepticizëm kur u bë kryeministër.

Megjithatë, këtu duket se përfundojnë ngjashmëritë.

As armiqtë politikë të Churchill nuk e dyshuan bindjen e tij ndaj idealeve të tij. Në rastin e Johnson, është e vështirë  të gjesh ndonjë që mendon se ai ka ndonjë të tillë.

Edhe nëse talenti i komikut të Johnson ka fituar një vëmendje të konsiderueshme (dhe çelësat e Downing Street), liderët e Evropës do të qeshin të fundit.

Matthew Karnitschnig, Politico.eu