MENU
klinika

Shqiptarë mes dy kulturash

URACult mbrëmje artistike në Gjermani

02.07.2019 - 16:49

     URACult organizoi një mbrëmje letrare në metropolin buzë lumit Rhein. Interesi nga ana e dashamirësve të fjalës artistike, nuk ishte i paktë dhe u prit jashtëzakonisht mirë.

Sikurse u shpreh organizatori, kishte një interes të madh për pjesëmarrje, nga autorë të ndryshëm gjermanë dhe jo vetëm. Siç duket, tashmë në diasporë po rritet një gjeneratë e re autorësh shqiptarë, që ngadalë, por me shumë siguri po shtresëzohet në hapësirën letrare të vendeve ku jetojnë.

 

 

 

Autorët e rijn që lexuan në mbrëmjen e mbajtur në Köln, Jetë Zhitia dhe Driton Sadiku, në veprat e tyre trajtojnë tema të gjeneratës të cilës i përkasin, gjeneratë e rritur mes dy kulturave dhe që përballet vazhdimisht me pyetjen: Kush jam unë? Ku është vendi im?
Gjatë leximeve plot emocion, dy autorët trajtuan shtegtimin në dy kulturat, me të gjitha anët pozitive dhe negative tek ata.

 

 

 

Emocione të tilla dhe përjetimet personale të autorëve i përjetoi nga afër edhe publiku. Në bisedat me moderatoren pas leximeve, autorët shpalosën mendime interesante mbi shoqërinë shqiptare në vendlindje dhe diasporë. Përvojat dhe vrojtimet nga këndvështrimi i tyre si intelektualë të rinj, ishin tema e bisedave me publikun, pasi programi përfundoi.

Gjatë kësaj mbrëmjeje, autori Selajdin Gashi lexoi pjesë nga veprat e Azem Shkrelit, Ali Podrimjes dhe Ismail Kadaresë.

 

 

 

Mbrëmja u mbyll me një rrugëtim muzikor nëpër trojet shqiptare. Babë e bijë, Agron dhe Tringa Shala, ofruan një performancë të shkëlqyeshme me këngë të zgjedhura nga Shqipëria e Jugut, Kosova, Maqedonia Veriore deri tek arbëreshët e Italisë.

I larmishëm si programi, ishte edhe publiku i kësaj mbrëmjeje që përbëhej edhe nga të ftuar të tjerë të huaj. Ky është edhe qëllimi i shoqatës URACult, që me këto organizime të mbledhë edhe komunitetin joshqiptar në Gjermani, për t’iu prezantuar kulturën shqiptare. Në vitin kur festohet pesëvjetori i themelimit, URACult vërtetoi edhe një herë nivelin e lartë të organizimit të aktiviteteve kulturore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli, poeti i tokës, njeriut dhe... vdekjes.

“Ç’t’i bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg”

MARTHA RIVERA GARRIDO

‘MOS U DASHURO’

Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’