Partia Demokratike i është drejtuar Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku me një kallzim për zgjedhjet e 30 qershorit.
Në këtë kallëzim të PD, i cili është zbardhur bëhet thirrje për mospengimin e hetimeve për krimet zgjedhore.
Nëpërmjet një letre të datës 12 Korrik, për të cilën është vënë në dijeni edhe shefja e Misionit të ODIHR, Audrey Glover, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, vë në dukje se organi i akuzës në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm nuk po heton seriozisht dosjet e vjetra 184/2016 dhe 339/2017, por nuk ka nisur asnjë hetim për asnjë prej shkeljeve të rënda ligjore që u konstatuan gjatë procesit antikushtetues të 30 Qershorit.
Letra e numrit 2 të PD-së shpreh hapur mosbesimin e opozitës për PPP Arta Marku, për shkak të zgjedhjes së saj antikushtetuese nga qeveria e Edi Ramës.
“Që prej emërimit tuaj antikushtetues si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kontrolli i qeverisë mbi prokurorinë është çimentuar, duke sjellë, njëkohësisht, çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Gjatë drejtimit tuaj, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë, asnjë politikan, asnjë funksionar i lartë publik nuk ka dalë para drejtësisë për krimin e korrupsionit apo të krimeve zgjedhore, megjithëse denoncimet publike kanë qenë me qindra.” – thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.