Kur u bë kryeministër i Britanisë, Boris Johnson këmbënguli se ai nuk do të kërkonte që të vizitonte kryeqytetet kontinentale për t’iu përgjëruar për kushtet e Brexit.
Në qoftë se Bashkimi Evropian nuk ka rënë dakord paraprakisht të heqë të ashtuquajturin ‘backstop’ irlandez nga marrëveshja aktuale e Brexit, Johnson nuk do të flasë fare me liderët. Në vend të kësaj, Britania ishte e gatshme të linte BE-në më 31 tetor, me ose pa një marrëveshje.
Megjithatë këtë javë ai fluturoi për në Berlin dhe Paris për të takuar Angela Merkel dhe Emmanuel Macron përpara se të shkonte në samitin e G7 në Biarritz.
Paraprakisht, Johnson u shkruajti një letër krerëve evropianë për të përsëritur se synonte të shmangte një kufi të vështirë në Irlandë në të gjitha rrethanat. Ai gjithashtu insistoi që, në kundërshtim me premtimet për t’iu përmbajtur shumë rregullave të Brukselit, Britania duhet të ketë liri të devijojë nga rregulloret e BE-së.
Pavarësisht këtyre, ai u prit me mirësjellje nga kancelarja gjermane dhe presidenti francez.
Menjëherë nisi të flitej se Merkel i kishte dhënë 30 ditë, ndërsa Macron kishte pranuar se marrëveshja e largimit nga BE mund të ndryshohej.
Në realitet, Merkel, tha meqë pasi nuk ishte gjetur asnjë alternativë reale në tre vjet, do të ishte një test nëse gjendej në 30 ditët e ardhshme. Sa i përket Macronit, ai thjesht theksoi se mungesa e kohës para 31 tetorit do të thoshte se jo çdo marrëveshje Brexit do të duhej të ishte krejtësisht e njëjtë me marrëveshjen aktuale.
E vërteta është se liderët evropianë dëshirojnë të shmangin Brexit pa marrëveshje që Johnson po kërcënon se do të realizojë deri më 31 tetor, pasi do të dëmtonte BE-në, megjithëse më pak se Britaninë.
Kur Johnson të dështojë për të gjetur ndonjë alternativë të besueshme, liderët e BE do të insistojnë se i takon qeverisë britanike nëse do të pranojë ‘backstop-in’ ose do të largohet pa marrëveshje. Edhe pse shumë liderë evropianë do të dëshironin që Brexit të përfundojë, ata gjithashtu janë të gatshëm të zgjasin afatin përtej 31 tetorit nëse do të jetë e nevojshme.
Ata me siguri do të duan të theksojnë se, nëse Britania bie nga një shkëmb, do të jetë me dëshirë, jo sepse BE e shtyn atë.
Ata gjithashtu po ndjekin me vëmendje diskutimet e deputetëve nga të gjitha palët se si të pengojnë një Brexit pa marrëveshje, qoftë me mjete legjislative, qoftë me opsionin e një votë mosbesimi në qeverinë e Johnson.
BE-ja akoma beson se, nëse deputetët me të vërtetë duan ta ndalojnë Britaninë të largohet pa marrëveshje, ata kanë mundësi për ta bërë këtë.