Për herë të parë që pas dëmtimit në “Thembrën e Akilit” basketbollisti Kevin Durant ka folur për mediat.
Këtë verë ai vendosi të largohet nga Golden State Warriors për t’u transferuar te Brooklyn Nets, si lojtar i lirë (free agent).
“Kam dëgjuar njerëz që thonë se u dëmtova për shkak të Golden State, se ata donin që unë të kthehesha sa më shpejt. Kjo është qesharake. Askush nuk ka ardhur për të më thënë që të luaja me çdo kusht”, tha Durant.
“Çdo ditë kam qenë vetëm unë dhe Rick Celebrini, mjeku i Warriors dhe së bashku kemi punuar me orë të tëra. Kur nisën finalet e play off-it unë kisha shënjestruar finalen nr.5 si mundësinë e parë për t’u rikthyer në fushë pas dëmtimit”, u shpreh Durant.
“Për fat të keq, po atë ndeshje u dëmtova sërish. Ky është sporti, gjithçka mund të ndodhë. Askush nuk ka përgjegjësi për këtë. Tani shoh me qetësi përpara për t’u rikthyer sa më shpejt në fushë”, tha Kevin Durant, dy tituj kampionë me Golden State.
Duke folur për transferimin te Brooklyn, ylli i NBA-së sqaron: “Vendosa të firmos për Nets me 30 qershor. Mëngjesin e asaj dite. E respektoj këtë sport, ndaj vendosa që fillimisht të respektoj kontratën dhe më pas të vendos për të ardhmen. Gjatë sezonit kam menduar vetëm të luaj basketboll.
Brooklyn ishte skuadra e vetme ku do të luaja nëse do të largohesha nga Golden State. Më pëlqen ajo që po ndërtojnë dhe shpresoj të fitoj sërish”, tha Durant.