Boris Johnson përballet me një betejë të re. Deputetët votuan për të marrë kontrollin e rendit të ditës, duke i lejuar ata të sjellin një projekt-ligj që kërkonte një vonesë të Brexit.
Kryeministri tha se do të thërriste zgjedhje të përgjithshme nëse detyrohej të kërkonte zgjatje për afatin e 31 tetorit. Deputetët tani do të votojnë projektligjin për vonesën në Brexit. Nëse kalon, do të pasojë votimi nëse do të zhvillohen zgjedhje.
Kryeministri tha që projektligji i deputetëve do të sillte “më shumë zhurmë, më shumë vonesë, më shumë konfuzion”.
Ai u tha deputetëve se nuk kishte zgjidhje tjetër, përveç se të vazhdonte me përpjekjet për të thirrur zgjedhjet e parakohshme, duke shtuar se “populli i këtij vendi do të duhet të zgjedhë”.
Më herët, kryeministri Johnson e humbi shumicën në parlament pasi deputeti konservator, Philip Lee, zuri vendin e tij në ulëset e opozitës.
“Qeveria konservatore po e vazhdon në mënyrë agresive procesin e Brexit-it me pasoja të dëmshme. Ai po rrezikon kërcënon padrejtësisht integritetin e Britanisë së Madhe”, tha Lee pasi u bashkua me radhët e opozitës në parlament.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar gjithashtu tha se vendi do të largohej nga BE deri më 31 tetor “në të gjitha rrethanat”. “Nuk do të ketë më vonesë të pakuptimtë”, shtoi Johnson.
Ai iu tha deputetëve se ai dëshironte një dalje të negociuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Marrëveshja e negociuar nga BE-ja dhe ish-kryeministrja britanike, Theresa May është rrëzuar nga parlamenti britanik tri herë radhazi. Ajo më pas dha dorëheqje nga pozita duke u pasuar nga Boris Johnson.