Shtegtimi i jetës së shkrimtarit kilian Luis Sepulveda ka qenë më shumë se një aventurë: një luftë e vërtetë. Dhe për të, të shkruarit është vetëm një tjetër mënyrë për t’i rezistuar: kohës, harresës, cinizmit. Pra, nuk është pleqëria ajo që do ta trembë atë. Autori diskret i “Plaku që lexonte romane dashurie”, Luis Sepulveda, feston sot 70-vjetorin e lindjes. Romancieri, poeti dhe kineasti kilian, krijimtaria e të cilit është e shenjuar fuqimisht nga angazhimi politik dhe ekologjik, lindi në 4 tetor 1949 në Ovalle./Konica.al
Që në moshën studentore aderoi me rininë komuniste, u dënua me 28 vjet burg nga regjimi i gjeneralit Pinoçet, mirëpo falë ndërhyrjes së Amnesty International dënimi u ndryshua me ekzil tetë vjet në Suedi, bër vetëm dy vjet e gjysmë burg, në 1977. Në mërgim, autori udhëtoi nëpër Amerikën Latine, në Ekuador, në Peru dhe në Kolumbi, themeloi kompani teatrore dhe u angazhua me lëvizje revolucionare. Në vitin 1978, ai kaloi një vit me indianët Shuar, pjesë e një programi studimi për UNESCO mbi ndikimin e kolonizimit në popullsitë e Amazonës. Romani i tij i parë: “Plaku që lexonte romane dashurie” i përkthyer në pesëdhjetë gjuhë, i solli famën ndërkombëtare. Ndër veprat cirojmë: “Bota në fund të botës”, “Historia e një pulëbardhe dhe maçokut që i mësoi si të fluturonte”, “Ditari i një vrasësi sentimental”, “Çmenduria e Pinoçetit”, “Hija e asaj çfarë ne ishim”, “Takim dashurie në një vend lufte”, “Historia e një balene të bardhë treguar nga vetë ajo” etj.
Librin e parë e botoi në moshën 17-vjeçare, një koleksion poezish, më pas zuri një pozicion si redaktor në gazetën “Clarin”. Gjatë qëndrimit në Nikaragua, iu bashkua luftës së armatosur përkrah sandinistëve, kurse në vitin 1979 ai u bashkua me Brigadën Ndërkombëtare Simon Bolivar.
Romani i parë: “Plaku që lexonte romane dashurie”, i përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe i përshtatur për ekranin në vitin 2001, vijon të jetë një sukses ndërkombëtar. “Historia e një pulëbardhe dhe maçokut që i mësoi si të fluturonte”, botuar në vitin 1996, është një tjetër sukses i autorit që ka rrëmbyer disa çmime për punën e tij. Në vitin 1996, ai u transferua në Gijon, në Spanjën veriore, ku themeloi Sallonin e Librit ibero-amerikan. Po ashtu shkroi për disa gazeta italiane. Një shkrimtar eklektik, me gjuhën e tij poetike, Sepulveda ka ditur dhe ende di se si të prekë zemrat e fëmijëve dhe të rriturve. Aftësia e tij për të treguar ngjarje dhe histori njihet nga të gjithë, po aq sa edhe librat që shkroi: “Historia e një pulëbardhe dhe e maçokut që i mësoi asaj të fluturonte”, “Historia e një maceje dhe miut që u bënë miq” dhe “Historia e një balene të bardhë rrëfyer nga vetë ajo” janë kryevepra të vërteta./Konica.al
Luis Sepelveda, duket si një fëmijë i përjetshëm, i cili ka zgjedhur fatin e tij. Familja shpresonte, se do të merrte përsipër biznesin e familjes, por ai zgjodhi gazetarinë. Gjithsesi, ai trashëgoi frymën e tyre komuniste.
“Letërsia është mënyra më e mirë për të zhdukur kufijtë, për të harruar, për të bërë të mundur që njeriu të udhëtojë lirisht në territoret e imagjinatës, në atë territor që nuk njeh as kufij, as atdhe”.
Idealit të një letërsie si mision, në mbrojtje të më të dobtëve, të të harruarve të kësaj bote të plagosur, nga këto është frymëzuar Luis Sepulveda, i konsideruar tashmë si një autor mit i letërsisë amerikano-jugore./Konica.al
Aktualisht, jeton në Asturias të Spanjës, pas viteve në Hamburg dhe Paris.