Pas vendimit të SHBA-ve për të dhënë ndihmesën me ekspertë në reformën e sistemit penitenciar (burgjet), vjen një reagim nga kryeministri Edi Rama.
Ky i fundit përmes një postimi në ‘Facebook’ thekson se SHBA-të janë miq të përhershëm në çastin e duhur, ndërsa shton se ky është hap i madh para.
Më 1 tetor, Shtetet e Bashkuara akorduan një fond prej 920,000 dollarë në mbështetje të programeve të ligjzbatimit në Shqipëri, duke e rritur totalin e mbështetjes së SHBA në 5.1 milionë dollarë.
MESAZHI I RAMES
MIQ TE PERHERSHEM NE ÇASTIN E DUHUR?? ??
Në procesin e thellimit të reformës së ndërmarrë nga qeveria,
e mbështetjen e shumicës parlametare, e të udhëhequr nga ministrja jonë e drejtësisë, me kurajo e vendosmëri, për regjimin special të izolimit të vazhdueshëm të individëve me profil të lartë kriminal, si edhe për transformimin e sistemit të burgjeve nga një sistem korrupsioni shumëvjeçar, në një sistem penitenciar pa favorizime të paligjshme dhe pa qoka të neveritshme për të dënuarit, nuk na ka munguar në asnjë hap, inkurajimi e ndihma e qeverisë mike të Shteteve të Bashkuara.
Deklarimi i sotëm publik, i pērfshirjes së drejtëpërdrejtë të partnerëve tanë strategjikë, me ekspertë të administrimit të regjimit special të izolimit, si edhe teknologji të lartë monitoruese, shënon një hap të madh përpara dhe përmban një mesazh të qartë, për këdo që dyshon në vendosmërinë tonë për ta çuar deri në fund, luftën e paprecedentë që i kemi hapur krimit.
THANK YOU!
Mesazhi publik i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara:
Një sistem i përmirësuar burgjesh është thelbësor për përpjekjet e vazhduara të Shqipërisë për të forcuar sundimin e ligjit dhe luftuar krimin e organizuar. Më 1 tetor, Shtetet e Bashkuara akorduan një fond shtesë prej 920,000 dollarë në mbështetje të programeve të ligjzbatimit në Shqipëri, duke e rritur totalin e mbështetjes së SHBA në 5.1 milionë dollarë. Ndihma shtesë do të kontribuojë për Planin e Veprimit për Burgjet 2019 të Ministrisë së Drejtësisë, të cilat do të kenë në shënjestër reformat brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të profesionalizuar edhe më tej sistemin korrektiv, përforcuar sigurinë publike, dhe zbatuar masa energjike kundër aktivitetit kriminal të organizuar. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në mënyrë të palëkundur për t’i mbështetur këto përpjekje dhe për të ndihmuar Shqipërinë që të ndërtojë një sistem drejtësie penale që të jetë i efektshëm dhe transparent.