MENU
klinika

Tur kufijve shqiptarë

Vallëzimi bashkohor çel siparin në Durrës

03.10.2019 - 13:54

Danci Modern dhe Kontemporan, nis sot rrugëtimin, në edicionin e 14-të. Festivali ndërkombëtar çel siparin, sipas traditës, mbrëmjen e sotme në teatrin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës.

Sikur u shpreh për mediet, drejtori artistik, Gjergj Prevazi “tashmë, përveç qytetit ku ky festival ka pikënisjen, shfaqjet e tij kanë një hartë shumë më të gjerë edhe të tjera qytete të vendit, deri në Kosovë”. Sipas Prevazit, ky edicion do të sjellë plot 13 shfaqje, këto në skenat e qyteteve si Durrësi, Tirana, Korça, Shkodra, përfshirë edhe teatri “Dodona”, në Prishtinë.

 

 

 

 

 

Përveç trupave nga Shqipëria, në edicionin e 14-të të festivalit do të performojnë edhe ansamble të dancit modern dhe kontemporan nga Italia, Hungaria, Austria dhe Franca. Mbrëmja e sotme, nis me shfaqjen “I always have a handkerchief in my pocket”, nga trupa e kompanisë së dancit shqiptar, për të përfunduar më 19 nëntor, me shfaqjen “Unknown”.

 

 

 

 

 

Skena shqiptare është pasuruar me zhanrin e ri të Dance Theatër dhe artistët tanë, po fitojnë një përvojë gjithnjë e më të madhe në këtë drejtim – ka theksuar, Prevazi.

Festivali i Dancit, që organizohet nga shoqata “Bukuroshja e Durrësit”, ka nisur në vitin 2006 dhe në skenat e teatrove të ndryshme janë përballur artistikisht, trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Hollanda, Turqia, Italia, Kanadaja, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj.