MENU
klinika

NBA

Clippers ia dalin në shtesë, Warriors të fundit

21.11.2019 - 09:45

Natë spektakli në NBA, me fitore me diferencë pikësh, por edhe me triumf të vendosur në sekondat e fundit. Koha shtesë ka qenë me fat për skuadrën e Los Angeles Clippers, që fitoi 107-104 ndaj Boston, ndeshje me rivalitet deri në fund.

Sfidë ku të dy ekipet e meritonin fitoren, por në fund diferencën e bëri Lou Williams nga stoli, shënuesi më i mirë me 27 pikë. Vend i katërt për Clippers në Konferencën e Perëndimit, teksa Lakers kryesojnë.

Nënkampionët e NBA, Golden State Warriors, kanë humbur përsëri. Dallas Mavericks i mposht me rezultatin 142-94. Humbja e 13-të nga 16 ndeshje në total për Warriors.

Ndërsa skuadra kampione e Toronto vijon paraqitjet e mira në kampionat, duke fituar 113-97 ndaj Orlando, sfidë e dominuar nga kanadezët.

VanVleet me 24 pikë ishte shënuesi më i mirë për Toronto, që ngjitet në vendin e katërt në Lindje. Humbet edhe skuadra e Houston, që u mund 105-95 nga Denver, një përballje mes dy ekipesh pretendente në Perëndim.

Jokic me 27 pikë e 12 asist ishte shënuesi më i mirë për Denver. Në krizë edhe ekipi i San Antonio, që pësoi sot humbjen e shtatë radhazi. Spurs u mundën 138-132 nga Washington, që triumfoi falë 33 pikëve të Beal.

Ndërsa Miami, falë një loje të mirë kolektive (7 lojtarë mbi 10 pikë), mposhti 124-100 Cleveland (Robinson 29 pikë më i miri). Fiton edhe Milwaukee, 135-127 ndaj Atlanta, ku sërish u dallua Antetokounmpo, me 33 pikë e 11 rebound. Bucks janë në vendin e parë në Lindje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN