MENU
klinika

"Vetëvrasja kundër përjetësisë"

Romancieri kontravers i kushtëzuar nga ekzistenca…

25.11.2019 - 13:45

       Dramaturgu dhe eseisti japonez, në udhëkryq mes modernizmit dhe tundimit të modernizmit, ishte i magjepsur  vuajtjet dhe vdekja. Autor gjenial me shije ekscentrike, Yukio Mishima e kaloi jetën duke e ndërtuar veprën dhe trupin sipas një mënyre të rreptë të jetës. I magjepsur nga deviacionet, nga impulset e ndryshme të qenies njerëzore, Mishima ishte mirëfilli shkrimtari i ekstremeve. Yukio Mishima (pseudonim i Hiraoka Kimitake) lindi më 14 janar 1925, në Tokio, dhe vdiq më 25 nëntor 1970, shkrimtar pjellor i vlerësuar nga kritika si romancieri më i rëndësishëm japonez i shekullit të 20-të. Gjithsesi, Japonia nuk mund të mendojë assesi për Mishiman pa njëfarë rezerve. Autori i një prej të parëve romanë të letërsisë gay, ai parashikon edhe vetëvrasjen e tij në një prej novelave, gjest “i pastër” i seppukut që ai do të realizonte më pas. Homoseksualiteti dhe vdekja, tragjedia dhe erotizmi, përndjekin punën dhe jetën e tij./Konica.al

 

 

Mishima ishte djali i një nëpunësi të lartë, ndoqi shkollën aristokrate “Peers” në Tokio. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi nuk arriti të kualifikohej për arsye fizike në shërbimin ushtarak, filloi punë në një fabrikë, ndërsa pas luftës studioi drejtësi në Universitetin e Tokios. Në vitet 1948-‘49 ai punoi në sektorin bankar të Ministrisë së Financave të Japonisë. Romani i tij i parë: “Kamen no kokuhaku” (1949; “Rrëfimet e një maske”), është një vepër pjesërisht autobiografike, që përshkruan me një mjeshtëri të jashtëzakonshme stilistike një homoseksual, të cilit i duhet të maskojë preferencat seksuale nga shoqëria që e rrethon. Romani fitoi famë të menjëhershme, si rrjedhojë ai filloi t’ia kushtojë energjitë e veta tërësisht të shkruarit.

Romanet e Yukio Mishima janë tipike japoneze sa i përket vlerësimit të ndjeshmërisë dhe anës imagjinare të hollësive natyrore, mirëpo fabulat solide dhe të goditura, analiza e tyre psikologjike dhe humori, u hapën udhën që të përqafohen nga lexuesi i gjerë në vendet e tjera. Më 25 nëntor 1970, pasi përfundoi edhe pjesën e fundit “Deti i fertilitetit”, Mishima dhe katër përkrahës të Shoqërisë së Shieldit, pasi morën peng një gjeneral të përgjithshëm në selinë ushtarake në qendër të Tokios, ai mbajti një fjalim 10-minutësh nga një ballkon para një mijë ushtarëve të mbledhur, të cilëve u kërkoi të rrëzonin Kushtetutën e Japonisë pas Luftës së Dytë Botërore, që ndalonte luftën dhe riorganizimin japonez. Përgjigja e ushtarëve ishte mospërfillëse, atëherë Mishima kreu seppuku në mënyrën tradicionale, duke hapur barkun me shpatën e vet, e ndjekur nga të besuarit. Kjo ngjarje tronditëse ngjalli spekulime të shumta në lidhje me motivet e Mishimës, njëherazi edhe keqardhjen që vdekja i kishte rrëmbyer botës një shkrimtari kaq të talentuar.

Yukio Mishima mbetet një nga shkrimtarët më të njohur të Japonisë, romancier kontravers, i cili trajtonte kontradiktat brenda identitetit kombëtar të Japonisë, por edhe ato të psikikës së tij të torturuar. Ishte autori i rreth 40 romaneve, si dhe pjesëve të shumta tetarale, libra me tregime të shkurtra dhe ese. Po ashtu, interpretoi dhe drejtoi disa filma. Shumë prej veprave të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës, është nominuar tri herë për çmimin “Nobel”.

Fundi dramatik i jetës së Yukio Mishima nxjerr në pah enigmën e karakterit, i cili përbëhej nga një tog kontradiktash: dobësia kundër karakterit të fortë, maskilizmit kundër feminizmit, fizikes kundër intelektit, erotizmit kundër estetikës, hijeshisë kundër brutalitetit, bukurisë kundër shëmtisë, pastërtisë kundrejt fëlliqësisë, Lindja kundër Perëndimit, “harakiri” i guximshëm kundër “vetëvrasjes disfatiste” etj.

Autor i një vepre sa të bollshme, aq edhe të larmishme, shkrimtar i mrekullueshëm, ideolog i rrezikshëm, një i revoltuar narcizist… Ai që tha se dëshironte ta bënte jetën e tij një poezi, duke e gjetur të kufizuar ekzistencën njerëzore dhe duke rrëfyer se dëshironte të jetonte përgjithmonë, i dha vetes vdekje, në kulmin e lavdisë së tij, më 25 nëntor 1970, duke praktikuar një seppuku në qendër të Tokios. Mbarë bota pa e çmeritur trupat e pajetë të Mishimës dhe përkrahësve të tij, në një Japoni ku besohej, se ishin hequr përgjithmonë ritet e samurajve. Yukio Mishima ishte dyzet e pesë vjeç./Konica.al

 

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen