MENU
klinika

Poeti i dashurisë

Lasgushi nuk bëri kurrë asnjë kompromis!

27.12.2019 - 13:37

      Poeti, shkrimtari dhe përkthyesi Llazar Gusho, njohur në letërsi me pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi më 27 dhjetor 1899 dhe ndërroi jetë më 12 nëntor 1987 në Tiranë.

Lirika e tij prej “shpirtit të gatuar me frymë dashurie”, mbetet simboli i pastër i gjuhës së dashurisë. Ai ishte shkrimtari, poeti, përkthyesi dhe mjeshtri i gjuhës shqipe, i cili, nuk bëri kurrë kompromis me artin e tij. Madje, vitet e fundit të jetës, origjinaliteti dhe karakteri i pasdiskutueshëm i krijimtarisë së tij letrare, i kushtoi deri edhe gjendjen jo të mirë ekonomike, kjo bashkuar me indiferentizmin e shtypit zyrtar të kohës./Konica.al

Pas vdekjes së poetit dhe ndërrimit të sistemit, vargu lasgushian fitoi shkëlqimin dhe tingëllimin e mohuar.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij romantiku të fundit të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Poradeci është autor i dy vëllimeve me poezi: “Vallja e yjeve” më 1933 dhe “Ylli i zemrës” më 1937, botuar në kryeqytetin rumun. Po ashtu, autor i përmbi 100 poezive, një pjesë prej të cilave, lirika dashurore.

Sigurisht, është poeti shqiptar që dha një kontribut të vyer për gjuhën shqipe, krahas poetëve të tjerë të kohës. Njihet prirja e tij për arkaizmat dhe shprehjet popullore,  po kaq sa edhe për fjalët e reja, këto krahas eksperimenteve leksikore për një amë të re.

Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu, redaktorin e veprës së tij poetike, “Ylli i zemrës”, mjeshtri tjetër i prozës poetike Mitrush Kuteli. Në shënimet e tij për veprën, Kuteli e ka cilësuar si “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe”./Konica.al

Lasgush Poradeci ka përkthyer edhe disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, si: “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj.

 

VALLJA E YJEVE

Yjtë-e ndezur si fingjill,
Që vërtiten palë-palë,
Prej mosgjëje zunë fill
Plot me jetë-e mall të valë.

Zunë fill me dashuri
Që kur bota zu të ngjizet,
Pa sikush për shok të ti
Përvëlohet edhe ndizet.

Ndizet ças edhe për ças,
E si kurrë s’ka të shuar,
Pa pushim i vete pas
Me një sulm të llaftaruar.

E si kurrë nuku mund
Ylli yllin që t’a kapë
Rrotull qiejve pa fund
Venë-e-vinë-e-venë prapë…

…………………………………
…………………………………
…………………………………
…………………………………

Do të venë fluturim
Kudo janë-e kudo s’janë,
Nëpër qjell që s’ka mbarim,
As fillim, as fund, as anë.

Kur mi të, kur nënë të,
Kur me hire-e kur pa hire,
Do përëajnë gjithënjë
Hapësirë…shkretëtire…

Ata ikin varg-e-varg
Me një etje të pashuar:
Sesà fellë-e sesà larg
Shoq me shoq u pat larguar!…

Kùsh j-u fali-aq dëshërim,
Dh’aqë zjarr e aqë flakë,
Dh’i gatoj me aq durim
Yjtë-e lum e varfanjakë?

Se do një, si për çudi,
Ku prej syresh rreh të ftohet,
Shoq i vet, nga mall’i ti,
Më me zjarr zë përvëlohet…

Dh’i vjen qark më me vërtik
E me dhembje më të nxehtë,
E si ik…si gjithë ik…
E pushton me zjarr të vetë:

Sa më pak e shmbëllen:
Aq më shumë-e ndjek dëshira…
Pa nga malli që s’e gjen,
Dridhet gjithë hapësira.

…Kur po ja! Se që përtej
Ndriten erërat nga pakë:
Yll-i çdukur nëpër qiej
Vetëtiu e mori flakë:

J-a pat shtënë me një ças,
Mun në mes në kraharuar,
Shoq’ i vet q’i sillej pàs
Me një sulm të llaftaruar;

Q’e kish flakën mun në gji,
Q’e zhuritte dashurija,
që çkëlqente me zili
Rrotull rrezeve të tija.

Yll i mjerë e yll i lum!
Yll i lum e yll i mjerë!
Sapo drita t’u përgjum,
Sheh një shoq nëpër skëterë;

Ay vin… e gjith vin…,
Gjith më pranë… -e gjith më pranë…-
Sesà ndrin e vetëtin!…
Sesà ndjen një gas pa anë!…

Sesa ndritesh përsëri!
Sesì ndizesh përsëpari!
Sesì djek me dashuri
Posi yll margaritari!…

Dashuri! Heu! Mall i ri!
Dashuri! këng’ e durimit!
Ti liri! Ti robëri!
Ti valim i shkrepëtimit!

………………………………….
………………………………….
………………………………….
………………………………….

Yjtë-e ndezur aqë larg.
Lozin vallen e dëshirës
Dyke ndritur varg-e-varg
Nëpër terr të errësirës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’