MENU
klinika

Dokumenti

Presidenti Meta vendos firmën në dekret, Arben Ahmetaj zyrtarisht ministër

13.12.2019 - 16:05

Presidenti Ilir Meta dekreton në postimin e Ministrit të shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetajn. Emri i Ahmetajt u propozua sot nga kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama i propozoi sot Presidentit Meta, dekretimin e Arben Ahmetaj si ministër i Shtetit për Rindërtimin, ndërkohë që Presidenca konfirmoi vullnetin pro dekretit, përmes zëdhënësit Tedi Blushi.

D E K R E T

PËR NJË NDRYSHIM NË DEKRETIN NR. 10604, DATË 10.09.2017 “PËR EMËRIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 93 dhe 98 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit,

D e k r e t o j:

Neni 1

Në dekretin nr. 10604, datë 10.09.2017 “Për emërimin e Këshillit të Ministrave”, të ndryshuar, me dekretin nr. 11037, datë 05.01.2019, pas pikës 16, shtohet pika 17 me këtë përmbajtje:

17. Zoti Arben Ahmetaj, Ministër Shteti për Rindërtimin.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 11386
Tiranë, më 13.12.2019

Më herët kryeministri Rama ka publikuar vendimin e tij për Arben Ahmetajn, duke thënë se: “Programi i Rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave, ku një ministër i ngarkuar ekskluzivisht me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program,të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit”.