MENU
klinika

Ja 7 problemet e shëndetit

Probleme me ciklin menstrual?

02.12.2019 - 21:22

Ndonjëherë, rregullimi i ritmit të ciklit mund të bëhet duke bërë disa ndryshime në stilin e jetesës, por një cikël jo i rregullt menstrual mund të jetë gjithashtu një shenjë e një problemi serioz me shëndetin.

Një cikël i rregullt menstrual vjen çdo 21 – 35 ditë (nga dita e parë e një cikli deri në ditën e parë të tjetrit) dhe zakonisht zgjat nga 2 në 8 ditë.

Më poshtë keni 7 arsye se çfarë mund të jetë duke shkaktuar çrregullime në ciklin tuaj menstrual: 

Probleme me tiroiden
Kur tiroidja punon siç duhet, ndihmon në balancimin e oreksit, energjisë dhe nivelit të stresit. Hormonet e prodhuara nga gjendra e hipofizës në trurin tuaj ndihmojnë në stimulimin e tiroides dhe prodhohen bashkë me hormonet që stimulojnë vezoret. Kështu problemet në tiroide mund të shkaktojnë probleme në vezore.

Endometrioza ose adenomioza
Endometrioza ndodh kur endometriumi (shtresa e brendshme e mitrës, e cila zëvëndësohet çdo muaj me ciklin menstrual) fillon të rritet jashtë mitrës. Mund të shkaktojë shumë dhimbje, therje, probleme me ciklin dhe deri në infertilitet.

Adenomioza ndodh kur endometriumi rritet në shtresën muskulare të mitrës. Mund të shkaktojë dhimbje dhe gjakrrjedhje më të mëdha gjatë ciklit. Është më e zakonshme në gratë e moshës 40 – 50 vjeç.

Stresi
Kur ndiheni shumë e stresuar, trupi juaj prodhon kortizol, një hormon që mund të vonojë apo reduktojë aftësinë për të prodhuar hormonet riprodhuese që duhen për një cikël të rregullt menstrual. Kështu cikli juaj mund të vijë i çrregullt, më rrallë ose më shpesh se sa është normale. Gjithashtu stresi mund të shkaktojë dhimbje më të madhe gjatë ciklit.

Sindroma e vezores policistike (PCOS)
Kistet në vezore janë shumë të zakonshme, shumica e grave do të kenë të paktën një në gjithë jetën e tyre riprodhuese. Në pjesën më të madhe të rasteve do të zhduken vetë, por deri në 10% e grave të moshës 15 – 44 vjeç preken nga sindroma e vezores policistike. PCOS karakterizohet nga cikle menstruale të çrregullta, të rralla apo edhe me nivele të larta të hormoneve mashkullore (androgjeneve). Ciklet menstruale të çrregullta janë si rezultat i paaftësisë  së vezoreve për të prodhuar mjaftueshëm hormone të caktuara femërore.

Ndyshime të mëdha në peshë
Ndryshimet në peshë, shtimi apo humbja e saj, mund të sjellë çrregullime në ciklin menstrual. Përshembull nëse jeni shumë e dobët dhe sportive (apo edhe nënpeshë), trupi juaj mund ta ketë të vështirë prodhimin e mjaftueshëm të estrogjenit. Në të kundërt, shtimi në peshë mund të shkaktojë që nivelet e estrogjenit të rriten, duke shkaktuar në mungesë të ciklit, perioda shumë të rënda apo që janë afër me njëra – tjetrën.

Fibroidet apo polipet e mitrës
Fibroidet e mitrës (leiomiomat apo miomat) janë tumore beninje (jokanceroze), të përbëra nga muskulaturë e lëmuar, e cila zakonisht rritet përbrenda mureve të mitrës. Fibroidet mund të shkaktojnë rrjedhje të vështirësuar menstruale, ngërçe të forta, presion në pelvik dhe probleme me urinim dhe zorrë të trashë. Varësisht nga lokalizimi, madhësia dhe shpejtësia e rritjes së tyre, fibroidet mund të ndërhyjnë në fekondim dhe shtatzëni.

Polipet endometriale janë rritje të vogla dhe beninje të indit normal në shtresën e brendshme të mitrës. Shumë gra kanë polipe, por mund të mos kenë simptoma dhe mund të mos dinë se i kanë derisa ta realizojnë një ultratingull pelviku. Janë shumë të shpeshta te gratë e moshë 30 – 40 vjeç, si edhe kanë potencial të shkaktojnë infertilitet.

Kanceri i mitrës (endometrial)
Kanceri i mitrës zë fill në shtresën mukozale e cila vesh nga brenda trupin e mitrës (endometrium). Rreziku për këtë sëmundje shtohet pas moshës 50-vjeçare: 50% e pacienteve janë midis 50 dhe 70 vjeç, ndërsa 45% janë mbi 70 vjeç.