MENU
klinika

"Tiranë, durim"

Realizmi socialist “konkurron” artin bashkohor

19.12.2019 - 18:11

      Nën kurimin e Natasa Ilic dhe Adam Szymczyk, sot u çel në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, ekspozita “Tiranë, durim”. Kuratorët i sjellin veprat e artistëve shqiptarë të regjimit komunist, përkrah atyre të artistëve më në zë bashkëkohës.

Deri më tai, publiku është njohur vetëm me veprën “Pallati i ëndrrave”, nga artisti Ibrahim Mahama, që mbulon fasadën e ndërtesës, por në “Tirana, durim” do të kenë mundësi që të shohin nga afër edhe vepra të artit realist, realizuar gjatë diktaturës e deri në vitin 1990, me autorë si: Arben Basha, Edison Gjergo, Vilson Kilica, Sadik Kaceli, Lumturi Blloshmi, Rafael Dembo, në veprat: “Shkojmë në punë”, Harrilla Dhimo me “Vepra e duarve tona”, Sali Shijaku me “Vojo Kushin”etj., duke u ndryshuar konfigurimin gjatë dekadës së fundit, të sjella përkrah veprave të artistëve, si Anri Sala me “Intervistën” , (1997), i cili zbulon një kronik bardh e zi, 16 mm, brenda një kutie me sende të tij në shtëpinë e prindërve në Tiranë, Anna Daučíková me “33 situata”, Arnisa Zeqo, Artur Żmijeëski me “Zeppelintirbune”, Chto Delat me “Ndërtuesit”, vepër e frymëzuar nga piktura “Ndërtuesit e Bartsk-it” nga Viktor Popkov, David Maljković, Doruntina Kastrati me “Heronjtë publik dhe sekretet”, Erëmirë Krasniqi, Gentian Shkurti me “Kornizat”, Ibrahim Mahama me “Pallati i ëndrrave”, Iman Issa me “Revolucionari”, Johanna Meyer-Grohbrügge, nga skulptorja e parë shqiptare Kristina Koljaka sjellin “Pyllëzimin”, Larion Lozovoy me videon “Makina dhe kopshti” në të cilin sjell një analizë strukturore të filmave të regjimit socialist nga periudha “Kulmi i stalinizmit”, Noit Banai , Olsi Lelaj, Sezgin Boynik, Thomas Logoreci prezantojnë vepra dhe ndërhyrje performative nga vetë punimet e tyre artistike, duke i adresuar vepra të veçanta arti, brenda koleksionit të përhershëm.

Kuratorët i kanë propozuar galerisë për të ekspozuar këtë pjesë të koleksionit, që edhe pse është e ekspozuar hera-herës, vazhdon që të mbetet sekret publik. Sipas tyre, pozicioni pragmatik i përqafuar nga shumë artistë ende gjallë në kushtet konkrete ekzistuese të shtypjes nga regjimi komunist, me raste roli i tyre si të huaj që devijojnë nga linja ideologjike dhe estetike ose që e modifikojnë atë, e bëjnë koleksionin e realizmit socialist një fushë beteje të politikës së kujtesës dhe temë e diskutuar ashpër nëpër debatet aktuale në Shqipëri, pas vendosjes së sistemit të ri politik, demokratik në vend, pas trazirave sociale të vitit 1990.

Arkitektura e ekspozitës, ku veprat e realizuara në diktaturë janë mbuluar që të mos “shihen”, është konceptuar nga Joanna Meyer-Grohbrügge.