MENU
klinika

Kategoria Superiore, java 17

Tirana triumfon edhe në Laç, Bylis kap Kukësin

22.12.2019 - 14:57

Kanë përfunduar dy e para të javës 17 të Kategorisë Superiore, pasi Flamurtari-Teuta është shtyrë nga kushtet e vështira atmosferike dhe do të luhet nesër në orën 12:00.

Vëmendja kryesore ishte në Laç, mes skuadrës vendase dhe Tiranës. Një sfidë e luftuar, duke sfiduar edhe terrenin e vështirë, por në fund ia del Tirana, teksa fiton 2-1.

Ishin kurbinasit që shënuan në fillim me Ignatovic në 28’. Por pa kaluar as dy minuta lojë, Muçi barazon për bardheblutë. 1-1 përfundon pjesa e parë.

Pjesa e dytë ishte shumë e luftuar, me vendasit që ishin pak më agresivë në kërkim të golit, por diferencën e bën sërish Muçi, teksa realizon në minutën e 78-të. Një sukses që e ngjit Tiranën në vendin e tretë, 2 pikë larg kreut.

Ndeshja tjetër, ajo mes Bylisit dhe Luftëtarit, ka përfunduar me fitoren 1-0 për ballshiotët, të cilët kanë kapur Kukësin në krye të klasifikimit, por verilindorët do të luajnë në 16:00 ndaj Skënderbeut.

Golin e fitores për mallakastriotët e shënoi Guindo me penallti në minutën e 35-të. Edhe në Ballsh terreni ishte i rënduar, teksa punëtorët e fushës janë detyruar të hedhin tallazh për të vijëzuar fushën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN