MENU
klinika

Tarifat për produktet franceze

Franca dhe BE gati t’i përgjigjen SHBA-së!

07.01.2020 - 19:22

Franca ka paralajmëruar se do të hakmerret me mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian nëse Shtetet e Bashkuara vendosin tarifa në produkte franceze me vlerë deri në 2.4 miliardë dollarë, përfshirë shampanjën, djathin Roquefort, çantat dhe buzëkuqët.

SHBA po shqyrton tarifat 100% të disa mallrave franceze në përgjigje të vendimit të Francës për të taksuar biznesin lokal dixhital të ndërmarrjeve të mëdha të teknologjisë si Google dhe Facebook. Me një vendim mbi tarifat që priten në ditët e ardhshme, Ministri Francez i Financave Bruno Le Maire u takua të martën me shefin e tregtisë së BE Phil Hogan në Paris.

“Ne besojmë se projekti amerikan i sanksioneve kundër taksës dixhitale franceze është i papërshtatshëm dhe i paligjshëm,” tha Le Maire.

Nëse do të vendoseshin tarifat e SHBA-së, “ne do t’a çonim çështjen Organizatës Botërore të Tregtisë dhe do të ishim të gatshëm të reagonim,” tha Le Maire.

“Komisioni i BE do të qëndrojë së bashku me Francën”, shtoi ai.

I pyetur për masat e mundshme të hakmarrjes nga Franca, Le Maire tha se vendi po shqyrton “të gjitha opsionet”. Ai nuk i shtjelloi më tej.

SHBA pritet të njoftojë tarifat e mundshme deri në javën e ardhshme, por Franca i bëri thirrje administratës së Trumpit të përmbahet nga marrja e një vendimi ndërsa negociatat janë duke vazhduar në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim me qendër në Paris.

Në një telefonatë me sekretarin e thesarit amerikan Steven Mnuchin të hënën, Le Maire tha se palët kishin rënë dakord “të intensifikojnë përpjekjet në ditët në vijim për të provuar të gjejnë një kompromis”.

Në bisedimet me Presidentin Donald Trump gushtin e kaluar, Presidenti Francez Emmanuel Macron u zotua se Franca do të braktiste taksën e saj dixhitale nëse një marrëveshje për taksat më të mira të biznesit dixhital gjendej në OECD, e cila përfshin 134 vende.

Përkthyer dhe përshtatur nga The Washington Post/ konica.al