MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Dy lëvizje heretike të Kurtit

11.02.2020 - 10:12

Sot kryeministri i ri i Kosovës do të qendrojë në Tiranë. Vizita vjen kur brenda pak ditësh nga marrja e detyrës, Albin Kurti bëri dy lëvizje “heretike” që e prishën syrin e keq të politikës kosovare. Heretike, në raport me të kaluarën e tij politike dhe me një stekë vetizoluese të thuajse krejt politikës kosovare muajt e fundit dhe që bash për këtë arsye quhet se prishën syrin e keq. Po le t’i marrim një e nga një.

Sinjalet, mesazhet që ai zgjodhi t’ i jepte në dy radiot e SHBA-ve (Zëri i Amerikës dhe Europa e Lirë), për mbylljen eventuale të dialogut me Serbinë brenda vitit në vazhdim, duke nisur me heqjen e taksës dëftejnë qartësisht për një qasje të re të tij, mirëpritur fuqishëm nga SHBA-të, dhe vizita e tij, në Shqipëri, sot. Të dyja këto lëvizje kapërcejnë ndjeshëm ato që ngjajnë se janë problemet më të mëdha aktuale të politikës kosovare sot që janë praktikisht ngrirja e marrëdhënieve me SHBA-të dhe ftohja e marrëdhënieve me politikën zyrtare të Shqipërisë. Janë dy shtete të cilat në këndvështrimin natyral dhe strategjik do të duhet të ishin dy aleatët më të mëdhenj të Kosovës.

Përfundimi sipas të cilit- Kosova i ka marrëdhëniet e ftohura me SHBA-të, është një përfundim i cili mund të kontestohet nga zëra  të ndryshëm në republikën motër, mirëpo, ka argumenta dokumentare të cilat e provojnë. Në shkurt të vitit 2019, tre institucione kryesore të SHBA-ve, Këshilli i Sigurisë së Kombëtare, në Shtëpinë e Bardhë, Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes, sipas strategjisë së tyre të presionit të përshkallëzuar i dërguan udhëheqësve kryesore të Kosovës një letër prej ku i paralajmëronin publikisht për reduktimin, cungimin, etj të programeve të bashkëpunimit, vizitave dypalëshe, etj. Përshkallëzimi me letër publike  vinte pas paralajmërimeve që mund të ishin zhvilluar në forma të ndryshme jopublike. Është plotësisht e vërtetë se gjatë kësaj periudhe, Kosova ka parë vizita të caktuara të emisarëve amerikanë, por siç është bërë e ditur në këtë letër trepalëshe (për të evituar spekulimet me frymëzim lobist ) kush i njeh në hollësi marrëdhëniet kosovare-amerikane e di që SHBA-të kanë reduktuar mbështetjen për Kosovën dhe në organizata ndërkombëtare si Interpol, UNESCO, apo në pellgje të ndryshme gjeografike ku Serbia ka patur një farë suksesi me përftimin e letrave për çnjohjet, ndonëse kurrë të zyrtarizuara plotësisht. Kurti, rishtar në punët e shtetit, nëpërmjet kësaj qasjeje të re duke përfituar nga kontaktet e mbyllura me të dërguarit amerikanë, posaçërisht me ambasadorin Grenell, të dërguarin e presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, praktikisht është rreshtuar me kërkesat aktuale amerikane artikuluar pikërisht prej Grenell.  Kjo lëvizje e tij, së bashku me paralajmërimin për vendosjen e masave të reciprocitetit (si proces), me nevojën e koordinimit me presidentin Thaçi (lojtari i nivelit të lartë me të cilin kanë luajtur amerikanët deri tani) menjëherë i vendos marrëdhëniet kosovaro- amerikane në shtratin natyral, atë të aleancës strategjike të tipit afatgjatë. Është kuptimplotë ky veprim i i tij, për shkak se ky rreshtim me kërkesat amerikane është veprim imediat në kohë, ashtu siç e kanë kërkuar amerikanët. Bash për këtë arsye, opozita reagoi menjëherë, dhe po menjëherë si për të treguar sesa i përfshirë është në debatin kosovar reagoi dhe Grenell, në mbështetje të Kurtit duke ju drejtuar me emër shefit të PDK-së, Kadri Veseli. Kurti nënvizoi megjithatë faktin se në Serbi zhvillohen zgjedhjet me kushtëzimet e imagjinueshme për mbylljen e dialogut- dhe ky ishte momenti kyç që shënon rirreshtim të Kurtit, por dhe vendit të tij në linjën  e Presidentit Trump  (brenda pak ditësh disa twitter për Kosovën). Bash për këtë arsye, Kurti që duhet t’i ketë bërë të njohura këto qëndrime në takimet e mbyllura, u ftua nga Merkel (shenjë tjetër e rivalitetit amerikano-evropian për udhëheqjen e dialogut), shto këtu dhe ardhjen surprizë të ministrit të jashtëm italian po sot në Kosovë.

Ky është një zhvillim prej të cilit sigurisht, do të përfitojë Kurti, i cili ka patur probleme serioze me diplomacinë amerikane, por më shumë Kosova në rifitimin e pozitës strategjike që kishte përkundrejt SHBA-ve.

Moment i dytë- lëvizja e dytë “heretike” e Kurtit-ardhja në Shqipëri

shpetim nazarko

Kurti me anë të këtyre lëvizjeve ka  kërcyer mbi atë që, gati gati u shndërrua për fat të keq në një lloj qasje dominante e disa aktorëve politikë, mediatikë, apo socialë kosovarë, në distancimin prej politikës zyrtare të Shqipërisë, Ramës më konkretisht. Veçanërisht muajt e fundit është kultivuar një lloj ftohje e cila natyrisht kishte shkaqe që lidheshin edhe me gabime të Ramës të cilat kishin rritur distancën midis Shqipërisë dhe Kosovës, si u tregua në sondazhin për prirjet pro bashkim në shoqëritë tona. Në këtë fluks ndikimi ka qenë dhe është  dhe Kurti, i trysnuar prej tyre. Me zgjedhjen e Shqipërisë, si vend i parë tek i cili do të bëjë vizitë, praktikisht nacionalisti Kurti e kapërceu këtë atmosferë të helmuar nga polemika ndërpersonale midis krerëve politikë të Shqipërisë dhe Kosovës, të dominuar nga rreshtime, aleanca dyshe-treshe të njerit kundër tjetrit.  Janë këto përzierje të çuditshme të cilat në fund të fundit për shkak të personalizimit të tyre e dëmtojnë atë që është interesi kombëtar shqiptar, që shqiptarët të jenë të tërë bashkë, në momente kyçe si këto kur vendoset për një pjesë të kombit si Kosova. Le të shohim se cilat do të jenë mesazhet e tij gjatë kësaj vizite, kur Shqipëria ka marrë udhëheqjen e OSBE-së, kur pritet të marrë ftesën për çeljen e negociatave, dhe kur i duhet të tregojë cilësi të re në marrëdhëniet ndërshqiptare. A do të kapërcejë Kurti dhe shteti drejtuar prej tij ndikimin e oligarkëve për të cilët flet në Kosovë, që kontrollojnë tregun e dy vendeve, të ndihur dhe nga Serbia, apo do të mbetet peng i statuskuosë- kjo pritet për tu parë. A do të çelë rrugë të reja infrastrukturore, ligjore, në mendësi për bashkimin ekonomik kombëtar, kjo do të shihet jo thjesht në fjalët e para, por në veprat e para. Dhe këtu do i duhet të mbajë qëndrim dhe për Minishengenin, dhe do duhet të ulë heshtat me Ramën, të cilit synon t’ja kontestojë fronin e prijësit panshqiptar, qoftë dhe nëpërmjet mobilizimit të degës së Lëvizjes së tij në Shqipëri.

Përfundime të para

Riorientimi kah SHBA-ve dhe ai nga Shqipëria janë lëvizje të cilat e forcojën Kosovën në rrafsh ndërkombëtar, sepse e nxjerrin atë nga një lloj izolimi i cili dhe për shkak të krizës së zgjatur politike, cili zgjati shumë dhe krijoi kosto shtesë.  Lëvizjet e gjermanëve dhe italianëve janë tregues për këtë dalje nga izolimi.

Kjo lëvizje e Kurtit është çmagjepsje në një farë mënyre e atyre besimeve të kultivuara në mjedise të caktuara të medias, politikës, shoqërisë civile kosovare, sipas të cilës, marrëdhënia me SHBA-të është e pandryshueshme, e pakushtëzuar nga asgjë. Një besim i ngulitur në këto mjedise dhe që në fakt eshtë irrealist sepse këto marrëdhënie mund të ndryshohen, të kushtëzohen nga faktorë të tjerë nga konjuktura rajonale dhe ajo globale. Marrëdhëniet midis shteteve, ashtu si ato midis njerëzve, do të duhet të kultivohen që të ruajnë lulëzimin e tyre. Është çmagjepsje dhe për fluksin e majtë  antiglobalist të liderëve të Vetëvendosjes dhe për elektoratin e saj, të cilët nuk kanë qenë kurrë proamerikanë si duket Kurti sot.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, do duhet mbajtur parasysh  një fakt historik i afërt i cili ndonëse nuk përfaqëson ngjashmëri të plotë, megjithatë është mirë për tu mbajtur parasysh. SHBA-të janë përpjekur gjithnjë për të marrë rol udhëheqës në paqësimin e Izraelit me botën arabe, konkretisht në hartimin ose në miratimin e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje midis Izraelit dhe Palestinës. Natyrisht, Izraeli është aleati i tyre numër një i SHBA-ve, por ama oferta që presidentë të ndryshëm i kanë dhënë Palestinës ka qenë një ofertë  e ndryshme në kohë: tjetër ka qenë ajo e Bushit të vjetër, tjetër ajo e Klintonit, e Bushit të ri, apo e presidentit Trump. Në këtë kuptim do duhet mbajtur parasysh faktori kohë në realizimin e dialogut me Serbinë. Ai është një faktor i jashtëzakonshëm, i cili lidhet me ndryshimin e konjukturës, me ndryshimin e presidentëve, aleancave ndërkombëtare, etj…etj. E bash duke llogaritur faktorët kohë dhe hapësirë, Kurti tregoi që në ditët e para se ka kuptuar se çfarë duhet të bëjë Kosova si hapa të parë. Kapërcim pindarik, kapërcim heretik në raport me të kaluarën revolucionare të tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN