MENU
klinika

Kapiteni i Kosovës, elozhe mbrojtësit

Rrahmani: Kumbulla, më i fortë se De Ligt

14.02.2020 - 19:12

Te Verona, jo vetëm Marash Kumbulla po shkëlqen. Një sezon i paharrueshëm edhe për Amir Rrahmanin. Kapiteni i përfaqësueses së Kosovës është kthyer menjëherë në një element të rëndësishëm për skuadrën e Veronës.

Ai tashmë ka siguruar transferimin te Napoli në fund të sezonit. Një hap shumë i rëndësishëm për lojtarin, i cili ka treguar sot para gazetarëve ndjesitë e tij për këtë edicion të shkëlqyer.

JUVENTUS – “Pas fitores, nuk kishte ndonjë festim të veçantë, por vetëm një gëzim të madh menjëherë pas ndeshjes, pasi kemi vendosur një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit tonë, që të dielën në mëngjes ishim të gjithë të përqendruar te ndeshja ndaj Udineses. Goli i Ronaldos? Edhe pse Ronaldo ka treguar në atë aksion se është një kampion i madh, me siguri mund ta mbroja më mirë”.

OBJEKTIVAT – “Objektivi ynë mbetet mbijetesa dhe ta arrijmë do të ishte një arritje e madhe. Për të gjitha të tjerat do të mendojmë më vonë. Ku dua të arrij?

Për momentin dua të afirmohem në Serinë A, një kampionat me shumë prestigj. Pastaj do të dëshiroja të shënoja, nuk ia kam arritur ende edhe pse kam pasur raste të mirë, por jam i bindur se herët a vonë do të vijë edhe momenti im”.

GRUPI – “Ndjehem mirë me të gjithë shokët e skuadrës, jemi një grup i madh, mes nesh ka mirëkuptim dhe bashkëpunim. Në veçanti kam një raport shumë të bukur me Kumbullën, Radunoviç dhe Gunter”.

NAPOLI – “Në Kosovë vazhdojnë të shkruajnë se transferimi im te Napoli ka qenë më i shtrenjti në historinë e futbollit të vendit tonë. Por unë nuk e mendoj shumë, deri në qershor jam një lojtar i Veronës dhe jam krenar që vesh këtë fanellë dhe i vendosur që të mbyll sa më mirë këtë sezon”.

JURIÇ DHE TIFOZËT – “Trajneri më ka mësuar shumë gjëra, por sidomos të jem gjithmonë i përqendruar dhe të stërvitem. Tifozët tanë janë specialë, meritojnë respekt dhe vlerësim, e duan këtë skuadër dhe janë një nga pikat e forcës”.

 

INDIVIDËT – “Mendoj se Veloso është lojtari më i fortë i Veronës, ashtu si edhe ai që ka bërë golin më të bukur, flas për atë ndaj Juventusit në “Allianz Stadium”. Kumbulla i fortë si De Ligt? Sigurisht, ndoshta edhe më shumë”.

ITALISHTJA DHE VERONA – “Kam dashur shumë që të mësoja gjuhën italiane, është një gjë e rëndësishme në shumë pikëpamje. Çfarë më pëlqen më shumë në Verona? Qendra historike, është e bukur dhe njëkohësisht qetësuese”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN