MENU
klinika

Rekord në "Air Albania"

Shifrat, formacionet dhe gjithçka për derbin

28.02.2020 - 16:04

Është dita e derbit të kryeqytetit. Një duel që sot në mbrëmje, në orën 19:00, do të mbërthejë në emocione jo vetëm tifozëritë përkatëse, por mbarë sportdashësit shqiptarë në vendin tonë dhe jashtë saj.

Interesimi nga tifozët ka qenë i jashtëzakonshëm, teksa janë shitur mbi 18 mijë bileta, por ky numër pritet të jetë akoma edhe më i madh në orët në vazhdim. Në derbin e parë në “Air Albania” pati 19 032 të pranishëm.

Ky do të jetë derbi i 156-të i kryeqytetit, ku Partizani ka fituar 66 ndeshje, ndërsa Tirana 41. 49 takime kanë përfunduar në barazim, ku më së shpeshti është regjistruar 2-2. Takimi i parë mes këtyre skuadrave është luajtur më 30 mars 1947, ku të kuqtë fituan 8-0, çka është edhe fitorja më e thellë e Partizanit.

Tirana është hakmarrë më 22 shtator 1985 kur fitoi 7-3. Por Tirana mund të krenohet me faktin se ka fituar 24 herë titullin kampion, ndërsa Partizani 16 herë.

Sa i përket këtij sezoni gjithcka është në barazim, të dyja skuadra kanë fituar nga një ndeshje 2-1, të kuqtë në fazën e parë, ndërsa bardheblutë në fazën e dytë.

Ishte pikërisht fitorja 2-1 e Tiranës më 13 dhjetor që theu mallkimin afro 6 vjecar në derbi dhe prej asaj dite skuadra bardheblu nuk është mposhtur më, duke regjistruar 10 fitore dhe një barazim në kampionat dhe kupë, duke marrë edhe kryesimin në Superligë.

Tirana shikohet si favorite në këtë duel referuar kuotimeve të këtyre kompanive. Fitorja e Tiranës kuotohet me 2.17 – 2.3, ndërsa barazimi vlerësohet me koeficientin 3.1. Suksesi i Partizanit luhatet me kuotës 3.1-4.

Kësaj here tri pikët vlejnë shumë në të dy kampet, për Tiranën drejt rrugës së titullit, ndërsa Partizani mund të mbajë gjallë shpresat në rast triumfi. Barazimi duket se më shumë vlen për Kukësin, që ndodhet mes dy skuadrave në renditje.

Juxhin Xhaja është ngarkuar me detyrën për të gjykuar supersfidën më të nxehtë të futbollit shqiptar. Ridiger Cokaj dhe Denis Rexha do të jenë ndihmës të tij, Egin Doda do të jetë i katërt.

Meqënëse është takim me rëndësi të madhe, kjo sfidë do të ketë gjithsej 6 gjyqtarë. Eldorian Hamiti dhe Olsi Ferataj do të jenë arbitrtat që do të qëndrojnë pas portave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN