MENU
klinika

“A thua më e vlefshme është karriera politike..."

Zoran Zaev: Nuk do ia sugjeroja Shqipërisë qeverinë teknike

05.02.2020 - 21:42

Ish-kryeministri dhe lider i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, është i bindur se nga posti i të parit të koalicionit qeverisës, i ka shërbyer me nder vendit të tij duke zhbllokuar përfundimisht, pas rreth tri dekadash, procesin e integrimit euro-atlantik i cili ishte peng i mosmarrëveshjeve me Greqinë për shkak të emrit të Maqedonisë, i papranueshëm për Athinën zyrtare.

Duke folur në emisionin Klan Debat të Seladin Xhezairit, zoti Zaev tha se kur më 2018 u firmos Marrëveshja e Prespës ai dhe homologu i tij grek Alexis Tsipras, kishin qenë të vetëdijshëm se mund të paguanim çmim.

“A thua më e vlefshme është karriera jonë politike dhe e ardhmja jonë polike sesa e ardhmja e të rinjve, e fëmijëve, e gjeneratave që vijnë”, pyeti Zaev duke vlerësuar se pa Marrëveshjen e Prespës dhe pa Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë fqinje, aderimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian do të mbetej vetëm ëndërr.

Zaev ka shprehur bindjen se qeveria teknike do t’ia dalë të mirëorganizojë zgjedhjet e 12 Prillit, por tërhoqi vërejtjen se një model të këtillë, për kapërcimin e përplasjeve politike, fjala vjen, nuk do t’ua rekomandonte politikanëve në Tiranë.

“Është pengesë, këto zënka, , pushtet dhe opozitë, ministër teknik i Punëve të Brendshme dhe i Punës dhe Politikës Sociale me pjesën tjetër të Qeverisë që mbështet nga shumica parlamentare, më shumë shkakton probleme sesa zgjidhje”.

Zoran Zaev thotë se ai dhe partia e tij edhe për këto zgjedhje do të kërkojnë votat e shqiptarëve. Thotë se me gjithë rezervat, pret që mbështetja të rritet në raport me zgjedhjet e fundit.

“Shikoj se tek popullata shqiptare ekziston një rezervë, a të votohet apo jo, kështu thuhet disi. Unë e respektoj këtë, kjo jeton, kjo rritet, kjo zhvillohet, por luftojmë. Për mua ekzistojnë qytetarët. Nuk ekzistojnë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, boshnjakë, ekzistojnë qytetarët, ata janë të njëjtë”.