Në luftën për të parandaluar dhe ndihmuar të prekurit nga Covid-19 janë bashkuar edhe yjet e futbollit, por edhe trajnerë apo personalitete të tjera. Silvio Berlusconi ishte i pari nga bota e futbollit si ish-president i Milanit dhe aktualisht president i Monzas që dhuroi 10 milionë euro për të ngritur një kamp ku të trajtoheshin 400 persona të prekur nga Koronavirusi.
Lionel Messi ka akorduar 1 milion euro. Kjo vlerë do të ndahet përgjysmë dhe do të shkojë për spitalin e vendlindjes së Leos, Rozario dhe pjesa tjetër do të shkojë në spitalin qendror të Barcelonës. Një gjest mjaft i bukur ky i Mesit, i cili duket se është shumë i angazhuar në luftën kundër koronavirusit.
Të njëjtin veprim ka bërë edhe Pep Guardiola, trajneri aktual i Manchester City-t, që ka dhuruar po 1 milion euro në vendlindjen e tij. Kjo shumë do të shkojë në një fushatë dhurimi të promovuar nga Kolegji Mjekësor i Barcelonës dhe Fondacioni Angel Soler Daniel. Spanja është një nga vendet më të prekura në Evropë.
Nuk mund të mungonte Cristiano Ronaldo, që së bashku me menaxherin e tij Jorge Mendes, Cristiano Ronaldo, dhuruan gjithashtu 1 milion euro për të ndihmuar tre njësi të kujdesit intensiv në Portugali në luftën e tyre kundër koronavirusit. Dhurimi do të ndihmojë njësitë e kujdesit intensiv në pajisjet në Porto dhe Lisbonë, duke përfshirë shtretërit dhe ventiluesit.