MENU
klinika

Ish-kapiteni i Kombëtares

Mosha është numër, Ansi Agolli rinovon në SHBA

05.03.2020 - 13:43

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli, do të vijojë të luajë për të paktën edhe një sezon në kampionatin amerikan me ekipin e New York Cosmos.

37-vjeçari ishte vendimtar për ekipin në sezonin e shkuar dhe pritet të rinovojë edhe për një tjetër sezon me ta. “Ndjehem sikur mund të jap akoma më shumë për këtë ekip. Pra, kur i keni këto ndjenja të mira dhe jeni i përkushtuar, profesional dhe i disiplinuar, mund të stërviteni mirë dhe të mbani veten në gjendje të mirë.

Atëherë mund ta jepni veten për ekipin. Unë mendoj se mund të jap më shumë për këtë ekip që të arrijë objektivat e tij këtë vit”, – u shpreh ish-kapiteni i kombëtares sonë.

Edhe drejtuesit e skuadrës kanë shprehur dëshirën të rinovojnë me Ansin. Drejtori teknik i ekipit, Carlos Mendes tha se dëshiron që Agolli të vazhdojë të luajë për Kozmos:

“Patjetër që dëshirojmë të negociojmë me Ansin. Ai ishte një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën në sezonin e shkuar. Ne na pëlqen roli udhëheqës i tij dhe mentaliteti që sjell në ekip. Ai ngre nivelin, sjell mentalitetin profesional. Është e rëndësishme, veçanërisht për disa nga këta djem të rinj që po kërkojnë të bëhen lojtarë profesionistë”.