MENU
klinika

Basketboll, Liga Ballkanike

Vllaznia surprizon në Mal të Zi, tërhiqet Rahoveci

04.03.2020 - 12:07

Vllaznia në basketboll për meshkuj mori fitoren e dytë radhazi në Ligën Ballkanike dhe të katërtën për këtë sezon. Ekipi shkodran triumfoi me rezultatin 82-66 në Rozhajë të Malit të Zi ndaj skuadrës vendase Ibar.

Takimi nisi mirë për malazezët, duke e mbyllur periodën e parë me shifrat 19-12. Një diferencë që ka ardhur duke u ngushtuar në të dytën nga shkodranët dhe për rrjedhojë ekipet shkojnë në pushim me shifrat 37-34 në favor të Ibar.

Pjesa e dytë ishte krejt ndryshe. Vllaznia reagoi dhe dominoi, duke arritur jo vetëm të barazojë, por edhe të kalojë në avantazh. Në sekondën e fundit të periodës së tretë, rezultati shkoi 54-50 në favor të kuqebluve. Ishte kapiteni Shestani që me një gjuajtje nga distance ka thelluar edhe më shumë atë, duke bërë që kjo periodë të mbyllej 57-50.

Një epërsi e tillë, por edhe loja gjithnjë në rritje e shkodranëve, bëri që perioda e katërt të flasë vetëm për ta dhe diferenca u thellua, teksa i gjithë takimi u mbyll me shifrat 82-66. Me këtë fitore Vllaznia ka barazuar Ibarin në renditje, teksa të dy ekipet kanë tashmë nga 14 pikë dhe shanset e Vllaznisë për të qenë në play-off tashmë janë maksimale.

Ndeshja e radhës pritej të luhej me Rahovecin më 18 mars në transfertë, por ekipi kosovar është tërhequr nga gara për arsye financiare. Brenda 48 orëve federata ballkanike e basketbollit do të dalë me një vendim për ndeshjet e mbetura. Vllaznia ndeshjen e fundit e ka me bullgarët e Akademic Bultex në Shkodër më 24 mars.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN