Është rritur numri i të infektuarve me koronavirus në qytetin e Elbasanit. Gazetari Fatmir Popja raporton për “BalkanWeb” se nga 5 që ishte numri i të prekurve në mesjavë, ka shkuar në 8 raste, pasi janë infektuar edhe tre pjesëtarë të një familjeje.
Bëhet fjalë për nënën 52-vjeçare dhe dy vajzat e saj, 22 dhe 25 vjeçe, ndërsa i ati i tyre ka rezultuar negativ.
52-vjeçarja e infektuar dhe që vuan nga diabeti, sipas burimeve jo zyrtare, është punonjëse e një banke të nivelit të dytë me një staf prej të paktën 23 punonjësish.
Pas testit të kryer, ka rezultuar se gruaja që punon në bankë dhe dy vajzat e saj rezultuan pozitive. 3 rastet më të reja në Elbasan të prekur nga infeksioni dyshohet se dy javë më parë kanë patur kontakt me persona të tjerë të konfirmuar pozitivë më herët.
52-vjeçarja është dërguar në Tiranë mbrëmjen e të mërkurës, ndërsa pjestarët e familjes së saj ndodhen në Karantinë. Ndërkohë që nga kryerja e testit te rreth 60 personave të dyshuar në gjithë Elbasanin, deri tani kanë rezultuar negativë.