MENU
klinika

Presidenti i Lazios

Lotito: Ndeshje teke me Juventus për titullin

28.04.2020 - 12:01

Futbolli italian filloi të shohë shenjat e rimëkëmbjes, pas konferencës për shtyp të Kryeministrit Giuseppe Conte, i cili njoftoi rikthimin në stërvitje, në nivel ekipi, duke filluar nga 18 maji. Megjithatë, kjo nuk e bën rillimin e kampionatit fakt të kryer.

I intervistuar nga “La Repubblica”, presidenti i Lazios, Claudio Lotito, shpjegoi se çfarë mund të ndodhë në rast të dështimit për t’u rikthyer në fushë, në Serie A. Sipas tij, ekziston rreziku i ndërprerjes së sistemit. Disa klube po përgatisin një dokument të përbashkët për të ekspozuar rreziqet, me të cilat përballen. Presidenti bardhekaltër nuk preferon “play-off”, si një mjet për të caktuar titullin kampion të Italisë.

igli tare e lotito
igli tare e lotito

“Lazio është një pikë larg nga Juventus. Në ndeshjen e parë kundër bardhezinjve fituam 3-1, gjithashtu në Superkupën e Italisë i mposhtëm me të njëjtin rezultat. Ne akoma duhej të luajmë ndeshjen e kthimit në kampionat.

Për drejtësi, një ekip si Inter, i cili ka 8 pikë më pak se ne, ose Atalanta, që ka 14 pikë më pak, më thoni pse duhet të përfshihen në një “play off” për titullin. Le të bëjmë ndeshje teke për titullin, edhe pse e kemi mundur dy herë këtë sezon Juventusin” – u shpreh ndër të tjera Lotito, i cili është një nga zërat më të fuqishëm në Serie A për rikthimin në fushë dhe përfundimin e sezonit në fushën e lojës.