Vendimi i Federatës Franceze të Futbollit për të mbyllur para kohe sezonin 2019-2020 për shkak të shpërthimit të pandemisë Covid-19 ka sjellë shumë pakënaqësi në radhët e skuadrave elitare në vend. Një prej ekipeve që kërkonte medoemos që sezoni të vendosej në fushë është Olimpique Lyon.
Vendi i nëntë aktualisht e lë jashtë zonës europiane, edhe pse matematikisht kishte shpresa të kualifikohej në Champions dhe Europa League nëse sezoni do të rifillonte. Me iniciativën e presidentit Jean Michel Aulas, Lyon ka përpiluar një kërkesë me 23 faqe ku detajohet kalendari për të caktuar fituesin e sezonit dhe skuadrat që do të shkojnë në Europë.
Dokumenti ndodhet në zyrën e Ligës Franceze të Futbollit dhe mediat franceze kanë zbuluar detaje të saj. Për titullin e kampionit dhe kualifikimin në Europë të zhvillohet një format play-off, ku mund të luhen 3 faza. Faza e parë të bëhet me 3 ndeshje nokauti midis skuadrave të renditura nga vendi 10 deri në 15.
Nga kjo fazë do të vijonin rrugën 3 skuadra që do shortoheshin në 4 grupe me 3 ekipe në fazën e dytë. Pas një mini-turneu mes tyre do të kualifikoheshin më tej 2 skuadrat e para të çdo grupi pra 8 ekipe do të luftonin për titullin kampion dhe vendet në Europë.
Fituesi do të kurorëzohet si kampion i Francës, finalisti kualifikohet në Champions së bashku me kampionin e finales së vogël, ndërsa vendi i katërt kualifikohet në Europa League. I njëjti format do të vendos edhe dy skuadrat që bien një kategori më poshtë, garë që do të vendoset mes skuadrave të Angers, Strasbourg, Bordeaux, Nantes, Brest dhe Metz.