MENU
klinika

Ikin dy yje

Coutinho jo i Bayern, Gotze e mbyll me Dortmund

23.05.2020 - 17:51

Dy nga yjet e Bundesligës nuk do t’i shohim me dy skuadrat më të mira në Gjermani. Philipe Coutinho verën e shkuar la Barcelonën dhe u transferua në Gjermani te Bayern Munchen, nëpërmjet formulës së huazimit me të drejtën e blerjes për 120 milionë euro nga gjermanët në fund të sezonit aktual.

Coutinho, ashtu si në Spanjë, as në Gjermani nuk arriti të përshtatej dhe të tregonte atë që ishte te Liverpool. Pas kësaj, bavarezët u bindën për mosblerjen e tij dhe pritet që braziliani të kthehet në “Camp Nou”, ku në fakt, nuk e presin me krahë hapur dhe po punojnë për ta larguar drejt një destinacioni tjetër.

Lajmin për ikjen nga Bavaria e konfirmon edhe drejtori i Bayern, Karl Heinz Rumenige: “Mundësia e blerjes së Coutinhos nga Barcelona, ka skaduar. Ne nuk e ushtruam të drejtën tonë dhe tani duhet të përfundojmë programimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Pagesa e 120 milion eurove nuk ka qenë kurrë një mundësi reale për ne.”

Edhe Mario Gotze nuk do të jetë pjesë e Borussia Dortmund sezonin e ardhshëm. Autori i golit të fitores së Gjermanisë në Botërorin e vitit 2014 dhe klubi verdhezi kanë vendosur të ndajnë rrugët në përfundim të sezonit.

Komunikimi zyrtar u bë para se të niste transferta me Wolfsburg nga drejtori sportiv i verdhezinjve, Marc Zorc, në “Sky Germania”: “Raporti ynë me Marion do të mbyllet këtë verë. E kemi marrë bashkërisht këtë vendim pas një bisede të qetë. Mario është një djalë i shkëlqyer.”

Për Gotzen ka interes të madh nga disa klube me emër të Serisë A si Milan, Lazio dhe Roma. Nuk përjashtohet mundësia që 27-vjeçari të joshet nga ofertat kineze.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN