MENU
klinika

Pasardhësi i Ronaldinhos

E krahasuan me Messin, si dështoi ylli meksikan

12.05.2020 - 16:46

Disa futbollistë në moshë të re janë klasifikuar si yjet e së ardhmes, duke i krahasuar me më të mirët e botës, por që më pas kanë dështuar, duke luajtur në skuadra normale. Një prej tyre është edhe meksikani Giovanni dos Santos, i cili duhet të ishte pasardhësi i Ronaldinhos te Barcelona.

Tifozët u dashuruan pas tij, duke e krahasuar me Messin, por gjërat nuk shkuan ashtu siç pritej. Ai sapo mbushi 31 vjeç mes pengjeve të mëdha të karrierës. Gjithçka lindi në vitin 2007 ndaj Interit. Për të shpjeguar karrierën e Giovani dos Santos dhe pritshmërisë që u krijua nga bota e futbollit për të, duhet që ta nisim sidomos nga një datë e largët dhe një ndeshje.

Jemi në 29 gusht 2007, kur luhet Trofeu Gamper mes Barcelona-s dhe Interit. Një natë vere ku e gjithë bota njihet dhe fillon të flasë për një djalosh të ri të talentuar, Giovanni Alex dos Santos Ramirez, i biri i ish-lojtarit të Brazilit Geraldos dos Santos, ose ndryshe i njohur si Zizinho.

Shpejtësi jashtë normales, teknikë e frikshme dhe sidomos një thjeshtësi për të bërë disa gjëra që nuk ishin aspak të lehta, por të jashtëzakonshme. Talenti i tij ndriçoi “Camp Nou”-n, çorienton totalisht mbrojtjen zikaltër dhe prezantohet me gol dhe penallti të fituar, që më pas shndërrohet nga Ronaldinho.

Duhet të ishte pikërisht Dos Santos pasardhësi i tij. Pas fitores 5-0 ndaj Interit, ditën e nesërme në faqet e para të mediave sportive flitet vetëm për të. Madje, në vitin 2008, Gazzetta dello Sport” do të titullonte “klonohen Messi dhe Ronaldinho”, duke iu referuar dyshes së Barcelona B, pra Bojan Krkic-Dos Santos.

Duke dëgjuar Neymar, dukej sikur ishim përballë një fenomeni. “Giovanni është një gjeni futbolli, kampion. Me fat që nuk luan ndaj nesh”, do të shprehej në vitin 2012 në ndeshjen Brazil-Meksikë në “Wembley”. Por, në të vërtetë, ylli Dos Santos kishte nisur të shuhej dhe përgjegjësia që kishte mbi shpatulla po e dëmtonte dita ditës, aq sa dualizmi me Ronaldihon po e rëndonte jashtë mase psikologjikisht.

U “arratis” nga Barcelona dhe u strehua te Tottenham, duke iu larguar gurës së Ronaldinhos. Nuk mundi kurrë të arrinte nivelet e brazilianit, modeli dhe frymëzimi i tij. Dështoi te Tottenham, më pas nisi të xhironte nëpër Europë duke gjetur pak fat te Villareal.

Gëzimet e vetme në karrierën e tij erdhën në kombëtaren e Meksikës (107 ndeshje dhe 19 gola) dhe te Los Angeles Galaxy (22 gola në 66 ndeshje në MLS). Pasi prishi kontratën në Los Angeles, u transferua te ekipi meksikan America. Në moshën 31 vjeç nuk pret më askush shpërthimin e tij…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga alkooli, droga dhe investimet e këqija

10 futbollistët e famshëm që falimentuan nga veset

Falimentimi i ish-kampionit të botës

Nga bigamia, borxhet e burgu, ana e errët e Dinhos