MENU
klinika

Fillimet e vështira të Jorginhos

“Jetova me 20 € në javë, mamaja më dha kurajo”

08.05.2020 - 16:23

Agjentët janë shndërruar në një nyje të rëndësishme për botën e futbollit. Janë ata që zotërojnë dokumentacionet ligjore dhe kanë në dorë karrierën e futbollistëve. Ka nga ata që janë të ndershëm dhe të rregullt, por ekziston edhe e kundërta. Jorge Luiz Frello Filho, me emrin sportiv Jorginho është një nga ata që ka rrezikuar karrierën për shkak të një agjenti mashtrues.

Ylli i Chelsea tregon se ish-agjenti i tij e kishte zbuluar dhe më pas e integroi në akademinë e tij. Kishte siguruar një provë te Hellas Verona, duke dalë me sukses. Megjitatë, paratë nuk dukeshin gjëkundi.

Më pas tregon se miku i tij zbuloi se agjenti e kishte vjedhur. Mesfushorit i është dashur të shtyjë javën me 20 euro. Ishte gati të kthehej në Brazil, por mamaja i dha kurajo. Një talent si ai nuk mund të dorëzohej.

“Një agjent më zbuloi në Brazil. U transferova në shkollën e tij dhe kalova dy vite atje. Kur mbusha 15 vjeç, ai më rregulloi një periudhë prove te Hellas Verona. U paraqita mjaft mirë. Takova shokun tim Raphael dhe u bëmë shumë shokë. I thashë se jetoj me 20 euro në javë.

Më tha se diçka nuk shkon mirë. Ai bëri një kërkim dhe kuptoi se agjenti im më kishte vjedhur. Doja të hiqja dorë, isha shumë i zhgënjyer. Telefonova në shtëpi dhe mamaja më tha se jam shumë afër finishit, kështu që nuk duhej të tërhiqesha”, – u shpreh Jorginho.

Pastaj karriera e tij dihet, kaloi për 10 mln euro nga Verona te Napoli, ku u natyralizua edhe si italian për të luajtur me kombëtaren axurre. Por Chelsea pagoi plot 50 milionë euro për të dhe sot ai luan në kampionatin më të fortë të botës. Jorginho përfiton rreth 100 mijë paund në javë. Nga 20 euro në Verona në javë, në 100 mijë paund mes Londrës, ndryshimi erdhi vetëm përmes përkushtimit dhe talentit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga alkooli, droga dhe investimet e këqija

10 futbollistët e famshëm që falimentuan nga veset