MENU
klinika

Në 20 vitet e fundit

Klubi grek voton dy portierët shqiptarë si më të mirët

02.05.2020 - 15:25

Futbollistët shqiptarë kanë lënë gjurmë në futbollin grek. Bledar Kola, Arjan Beqaj, Foto Strakosha, Kristi Vangjeli, Ergys Kace, Andi Lila e shumë të tjerë ndër vite kanë sipkatur për skuadrat e tyre, shpesh vendimtarë.

Pak ditë më parë një media greke lartësonte ish-portierin Foto Strakosha si atë që kishte pritur më shumë penallti në futbollin helen. Por edhe ish-portieri tjetër i Kombëtares shqiptare, Arjan Beqaj, ka lënë gjurmë në Greqi.

Beqaj ka luajtur në vitet 2003-2006 me klubin e njohur grek Ionikos të Athinës. Klubi i famshëm i Superligës greke ka humbur tashmë shkëlqimin, teksa prej vitesh militon në kategoritë e ulëta (aktualisht në Ligën e Tretë), por tifozët e skuadrës që përfaqëson lagjen “Niqea” të kryeqytetit grek nuk e harrojnë Beqajn.

Në një sondazh që ka bërë klubi në faqen zyrtare në “Facebook” për portierin më të mirë të 20 viteve të fundit, 75% e votuesve kanë nominuar emrin e Beqajt. Kësisoj, kosovari është shpallur fitues i këtij sondazhi. Por, interesant është fakti se në vend të dytë tifozët grekë kanë votuar një tjetër shqiptar, pikërisht legjendën Foto Strakosha. Ish-portieri i Kombëtares ka luajtur për Ionikosin në vitet 1999-2000.

Beqaj e ka provuar shijen e një goli në aksion, në sezonin e largët 2001-2002 kur ai ishte pjesë e OFI-t të Kretës. Në një ndeshje ndaj Panileiakos, ishullorët po humbisnin 1-2. Në amullinë e lojtarëve në zonë, Beqaj kërceu më lart se të gjithë dhe shënoi një gol të paharruar me kokë që u dha të tijve një pikë të vyer në minutën e 90-të. Ky ishte goli i parë i një portieri në aksion në historinë e futbollit elitar grek.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN