MENU
klinika

Presidenti i FSHF-së

“Nëse nuk nisim më 1 qershor, mbyllim sezonin”

10.05.2020 - 16:19

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka deklaruar hapur mendimin e tij në lidhje me rifillimin e futbollit shqiptar. Në një intervistë për “TV Klan”, Duka ka zbuluar datat e programuara prej institucionit që ai drejton, ndërsa ka theksuar se duhet t’i jepet kohë klubeve për stërvitje, ndërsa mund të anulohet edhe Kupa për të fituar disa ditë kohë me kampionatin…

“E mira do ishte të rinisim stërvitjen të paktën deri më 20 maj, për të pasur më shumë kohë për lojtarët. Ne kishim një plan që të nisnim stërvitjen më 2 maj dhe kampionatin më 20 maj, por për këtë as nuk morëm asnjë përgjigje.

Ne i kemi planet çfarë do që të ndodhë, është menduar edhe eliminimi i Kupës dhe në rast se kjo ndodh do të shkojnë 4 vendet e para në kampionat në Kupat e Europës. E mira është që ne të fillojmë deri në fillim të qershorit, por nëse nuk fillojmë deri në 1 qershor, më mirë të themi stop”, – tha Duka fillimisht.

Programi – “Minimalisht duhen 20 ditë që ekipet të luajnë. Duhet të bëjnë një minifazë përgatitore. Nuk flasim për kushte normale dot, ndaj edhe me dy javë do të bëhej. Superiorja ka 10 javë, janë edhe ndeshjet e Kupës. Për ta mbyllur pa shumë ngjeshje, optimalja do të ishte 20 maj, maksimalisht fundi i këtij muaji. Të luash ndeshje çdo tri ditë do ishte e vështirë”.

Paralajmërimi  – “Nëse nuk fillojmë deri me 1 qershor, më mirë të themi stop. Pastaj futemi në një garë ku do luhet çdo 48 orë. Do ishte e kotë, ndaj më mirë le të nisim përgatitjet për sezonin tjetër. E mira është të fillojmë në fillim të qershorit, pasi me 6 gusht nisin kualifikueset e kupave të Europës. Uroj të mos ndodhin këto”,-  u shpreh kreu i FSHF-së.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN