MENU
klinika

Drejtori sportiv i Lazios kritikon ministrin

Tare: Po tallen me ne, do mbetemi dyerve të gjykatave

14.05.2020 - 10:37

Situata në të cilën po ndodhet Serie A nuk po kapërdihet lehtë nga Lazio. Klubi bardhekaltër ka qenë vazhdimisht pro vazhdimit të garës në fushë, kjo edhe për faktin se në këtë sezon janë pretendentë seriozë për titullin kampion, kurrë më afër në 20 vitet e fundit.

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka shpërthyer në kritika duke theksuar se qeveria italiane, ndryshe nga ajo gjermane, spanjolle e angleze, nuk po ndihmon futbollin. Tare merr shembullin e Francës që mbylli futbollin, teksa shprehet se qeveria franceze do të humbasë shumë çështje në gjykata, ndaj shqiptari kërkon të evitojë një verë në kërkim të drejtësisë.

“Nuk mendoj se zoti Spadafora të jetë kaq i papërgjegjshëm. Në Europë ka shumë qeveri, si ajo gjermane, spanjolle e angleze që duan ta ndihmojnë futbollin. Në Itali nuk është kështu, madje as Franca që e mbylli para kohe nuk ishte kështu. Por, qeveria franceze do të humbasë shumë  çështje në gjykata. Të evitojmë një verë në dyert e gjykatave. Duket sikur po na tallin me të gjithë këto komplikime që po na nxjerrin”, – u shpreh Tare në mediat italiane.

Te Lazio gjatë gjithë kësaj kohe të pandemisë nuk ka pasur asnjë rast pozitiv me Covid-19. Ekipi ka nisur stërvitjen individuale nën masa higjeno-sanitare të rrepta. Lazio është vetëm një pikë pas Juventusit kryesues, por mes 12 ndeshjeve për t’u zhvilluar, përballja direkte mes tyre do të luhet në Torino.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN