MENU
klinika

Ministri i Sportit “frenon” përsëri

Tre kushte për t’u plotësuar për rifillimin e Serie A

13.05.2020 - 12:01

Futbolli italian provon të rifillojë, por ende ka pengesa. Pasi qeveria miratoi seancat e trajnimit individual, Federata nisi të punojë për protokollin e ri të domosdoshëm sanitar me qëllim që të kalohet në stërvitje kolektive nga 18 maji.

Megjithatë, ekzistojnë shumë pika polemike: që nga tamponët deri te përgjegjësia mjekësore dhe karantina e detyrueshme. Të gjitha pikat duhen të kenë shqyrtim konkret nga Federata Italiane e Futbollit, e cila sot duhet t’i dërgojë protokollin e ri Ministrisë së Sportit.

Po vetë ministri duket se sërish frenon gjithçka kur bëhet fjalë për grumbullime: “Ne vazhdojmë me kujdes drejt rihapjes. Një hap i parë ishte kthimi në stërvitjen individuale, dhënia e mundësisë së të bërit aktivitet fizik për italianët. Hapja do të jetë graduale.

Ne punojmë pa u lodhur për t’i dhënë përgjigje botës së sportit, por vëmendja kryesore i kushtohet futbollit. E di se sa i rëndësishëm është futbolli nga pikëpamja sociale. Do të ishte paradoksale të mos e pranoj si një industri me një qarkullim të rëndësishëm financiar, me mbi 1 miliardë euro çdo vit.

Por unë po përmend tri pikat më domethënëse për të rifilluar: karantina e ekipit, në rast të një lojtari pozitiv brenda grupit; përgjegjësia e mjekëve të klubeve nga ana ligjore dhe sigurimi i tamponëve, që nuk do të duhet të ndikojnë në nevojat e qytetarëve”.

Këto janë 3 pikat thelbësore ku këmbëngul Ministria e Sportit, që i ka përcjellë edhe në parlamentin italian dhe më pas do të jetë radha e kryeministrit Conte për të marrë një vendim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Topi” kalon në anën e Federatës

Serie A, i jepet përgjigje çështjes më të debatuar