MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Dikur të gjithë prisnin Amerikën por tani…

15.06.2020 - 18:07

Shtetet e Bashkuara po përballen me disa sfida marramendëse njëkohësisht.

Është pandemia e COVID-19, e cila tashmë ka marrë gati 120,000 jetë. Ndikimi ekonomik ka qenë shkatërrimtar, me rreth 40 milion njerëy aktualisht pa punë dhe Rezerva Federale parashikon që shumë prej tyre do të mbeten të papunë për një periudhë të zgjatur.

Amerika e gjen veten në kontrollin e dy epidemive, secila prej të cilave ka ekspozuar pabarazi të thella në racat dhe nivelet e arritjeve arsimore.

Përveç këtyre, është edhe vala e madhe e protestave pas vrasjes së George Floyd, një 46-vjeçar afrikano-amerikan, në duart – më saktësisht, në gjurin – e një polici në Mineapolis. Protestat, të cilat janë shtrirë vendin, nxorën në pah jo vetëm problemin e qëndrueshëm të racizmit të thellë në SHBA, por edhe sjelljen e policisë, e cila shumë shpesh është e dhunshme dhe aspak e bazuar në ligjin të cilin ata janë betuar të zbatojnë.

Nuk është për t’u habitur që publiku amerikan dhe zyrtarët e tyre të zgjedhur i kanë përqendruar energjitë e tyre tek këto sfida të brendshme.

Problemi është se shumë gjëra që po ndodhin në botë po kërkojnë vëmendjen e Amerikës dhe nuk po e marrin atë.

Më keq, vëmendja që i jep administrate e presidentit amerikan Donald Trump botës, është kryesisht e gabuara: kërcënimi për tërheqjen e gati një të tretës së forcave të armatosura amerikane të vendosura në Gjermani dhe në Afganistan, dhe njoftimi për largimin e Amerikës nga Organizata Botërore e Shëndetit.

Rezultati është rritja e shqetësimit midis aleatëve të Amerikës në lidhje me besueshmërinë e saj.

Ndërkohë, disa probleme në mbarë botën po përkeqësohen shumë shpejt. Muajin e kaluar, Kina vulosi një ligj të sigurisë për Hong Kong që parashikon fundin e marrëveshjes “një vend, dy sisteme” që Kina pranoi kur rifitoi sovranitetin në 1997. Një goditje  ndaj ish-kolonisë britanike duket të jetë thjesht çështje kohe. Kina gjithashtu ka vepruar me bindje përgjatë kufirit të saj të kontestuar me Indinë dhe duke përdorur një retorikë më të ashpër në lidhje me Tajvanin.

Për më tepër, Koreja e Veriut sapo njoftoi se do të shkëpusë të gjitha linjat e komunikimit, me Korenë e Jugut, duke ngritur pyetje të reja rreth stabilitetit përgjatë kufirit më të armatosur në botë. Vendi e pasoi këtë hap me një deklaratë që hodhi poshtë diplomacinë me Shtetet e Bashkuara dhe u zotua se në vend të kësaj do të shtonte arsenalin e saj bëthamor. E fundit fare është se Koreja e Veriut krenohet me më shumë armë bërthamore dhe më shumë raketa balistike (të përmirësuara) sesa kishte para takimeve midis Trump dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un.

Irani po bëhet përsëri një shqetësim bërthamor gjithashtu. Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike sapo raportoi se nuk ka pranuar të bashkëpunojë me inspektorët.

Ndërkohë, stoku i uraniumit të pasuruar nga Irani, është rritur me 50% gjatë muajve të fundit. Kjo do të thotë se bota do të kishte shumë më pak kohë për të reaguar nëse ajo do të zbulonte që Irani po garonte për të përfunduar një arsenal të vogël të armëve bërthamore.

Diku tjetër në Lindjen e Mesme, ekziston mundësia që Izraeli, me inkurajim dhe mbështetje amerikane, të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor. Kjo mund të përfundojë çdo shpresë të vogël për një shtet palestinez. Aneksimi gjithashtu mund të dëmtojë stabilitetin në Jordani dhe traktatin e paqes Izrael-Jordani. Dhe kjo mund të rrezikojë të ardhmen e Izraelit si një shtet demokratik dhe hebre.

Shtimi i konflikteve nuk është rreziku i vetëm me të cilin po përballet bota. Brazili është shfaqur si një pengesë kryesore për të luftuar ndryshimet klimatike, e cila mund të bëhet sfida përcaktuese ndërkombëtare e këtij shekulli. Nën udhëheqjen e presidentit Jair Bolsonaro, shkatërrimi i pyjeve tropikale të Amazonës po përshpejtohet. Kjo ka rëndësi sepse pyjet tropikale thithin një sasi të konsiderueshme të dioksidit të karbonit në botë dhe ndikojnë në motin në botë. Ndërkohë që këto pyje tropikale priten ose digjen, ritmi i ndryshimeve klimatike do të rritet, duke dëmtuar planetin dhe të gjithë ata që jetojnë në të.

Papërgjegjshmëria e Brazilit është në një farë mase një nënprodukt i trazirave të brendshme të vendit, për shkak të një zhvillimi të shpejtë të shpërthimit të COVID-19 dhe politikës populiste. Për fat të keq, ky nuk është i vetmi rast. Pandemia është gjithashtu e ashpër në Meksikë, Iran, Egjipt, Rusi dhe Bangladesh, duke reflektuar sisteme jo adekuate të shëndetit publik, lidership të dobët, ose të dyja bashkë.

Për fat të mirë, lajmet nuk janë të gjitha të këqija.

Ndoshta zhvillimi më premtues është në Evropë, ku Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane, me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë, janë duke ndërmarrë hapa për të ndihmuar vendet e shkatërruara nga pandemia të rikuperohen.

Është një shenjë e mire që në vazhdën e Brexit, Bashkimi Evropian po tregon vendosmëri për të bërë një ndryshim.

Përkundër sfondit të përkeqësimit të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Kinës dhe Rusisë, një mori sfidash rajonale dhe globale po shtohen.

Amerika është më pak e aftë dhe e gatshme t’i zgjidhë sfidat, partnerëve dhe aleatëve të saj u mungon fuqia për ta bërë këtë vetë, dhe Kina ofron një model dhe një axhendë që pak kush e sheh si tërheqëse.

Dikush mund të shpresojë se SHBA do të veprojë shpejt. Historia nuk ka asnjë buton pauze.

Richard N. Haass, President i Këshillit për Marrëdhëniet e Jashtme, më parë shërbeu si Drejtor i Planifikimit të Politikave për Departamentin e Shtetit të SHBA (2001-2003), dhe ishte i dërguari special i Presidentit George W.Bush në Irlandën Veriore dhe Koordinator për Ardhmërinë e Afganistanit.

Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN