MENU
klinika

"U largua nga KLD në 1996"

Hije dyshimi për anëtarët e Vettingut, gjyqtarja e shkarkuar kallëzon në SPAK komisioneren e KPK

01.06.2020 - 21:15

Ish-Gjyqtarja e Apelit Shkodër Hajrie Muçmataj kallëzon në SPAK gjyqtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Alma Faskajt. Muçmata e larguar nga KPK në nëntor të vitit të kaluar pasi nuk arriti të kalonte vettingun në tre shtyllat e tij ka kallëzuar sot anëtaren e KPK Alma Faskaj, për të cilën thotë se është shkarkuar nga KLD në vitin 1996. E njëjta akuzë si për gjyqtarin Luan Daci, i cili tashmë është pezulluar nga detyra në KPA.

Faskaj ka qenë anëtare e Komisionit që shkarkoi më 11 nëntor Muçmatën. Në kallëzimit e kësaj të fundit të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb” thuhet se, Faskaj ka punuar gjyqtare në Gjykatën e Lushnjës dhe është shkarkuar nga detyra, për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë. Për largimin nga kjo detyrë, Muçmataj ka kërkuar informacion nga KLGJ.

kolana e librave

“Më 7 maj jam vënë në dijeni nga KLGJ se znj. Alma Vokopola (Faskaj) me vendimin nr.8 datë 23.08.1996 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është shkarkuar nga detyra, për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë.

Sipas kësaj shkrese rezulton se kjo anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e konkretisht relatorja e trupës së komisionerëve, që ka kryer rivlerësimin tim kalimtar si gjyqtare, zj.Alma Faskaj (Vokopola), jo vetëm gjendet në kushtet e pazgjedhshmërisë, në zgjedhjen si Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin nr.84/2016, por dhe në konsumim të elementëve të veprës penale të ‘Falsifikimit të dokumenteve’, të parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.

Krahas kryerjes së hetimeve të plota dhe të gjithanshme, duke pasur në konsideratë se veprimet e mëtejshme të zj.Alma Faskaj (Vokopola) në cilësinë e saj si Komisionere e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mund të sjellin pasoja të rënda për të gjitha subjektet e rivlerësimit, të cilëve iu mohohet e drejta për t’u gjykuar nga një gjykatë e caktuar me ligj, bazuar në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj marrjen e masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës deri në përfundim të hetimeve për këtë komisionere”, deklaron ish-gjyqtarja Muçmataj.