MENU
klinika

Dorëhiqet trajneri i Partizanit?

Rënia zyrtare e Flamurtarit dhe plot gola, çfarë dhuroi java 28

07.06.2020 - 20:38

Java e 28-të e Kategorisë Superiore ka dhuruar plot gjëra. Së pari, u realizuan 18 gola, me një mesatare prej 3.4 gola për ndeshje, si rrallëherë në futbollin shqiptar. Spikati ndeshja në Lac, ku u shënuan 7 gola, teksa vendasit fituan 5-2. Pesë gola shënoi Tirana në Gjirokastër ndaj Luftëtarit.

Ndërkohë, java e parë e fazës së katërt ka dekretuar edhe zyrtarisht rënien e Flamurtarit në Kategorinë e Parë duke dhënë verdiktin e parë të këtij edicioni. Klubi vlonjat që ka qëndruar gjithë sezonin në vendin e fundit në klasifikim, tashmë edhe matematikisht e ka të pamundur të arrijë qoftë edhe zonën play-out në javët e mbetura.

Në anën tjetër, Skënderbeu konfirmohet forcë e tretë dhe shkon në 6 fitore radhazi. Këtë e ka bërë vetëm Tirana, e cila ka shënuar një rekord, pasi nuk njeh humbje në kampionat prej 14 ndeshjesh, me 13 fitore dhe 1 barazim. Më saktë, bardheblutë nuk humbin që nga 7 dhjetori me Kukësin. Po të fusësh edhe 2 ndeshjet e Kupës, Tirana nuk thyhet prej 16 ndeshjesh, me 15 fitore e një humbje.

Fatin e rënies mund ta ketë në javën e ardhshme edhe Luftëtari, të cilin vetëm matematika e mban në Superiore, duke mbyllur diskutimin sa i përket rënies direkte nga kategoria. Sa i përket zonës play-out, aty tashmë në garë janë Vllaznia dhe Partizani me nga 38 pikë, ndërsa një më shumë ka Bylisi i cili i parakaloi me atë sukses në ekstrem ndaj Teutës.

Janë larguar deri tani 14 trajnerë nga Superiorja dhe pritet i 15-i. Pas Largimit të Mirsad Jonuz (nuk u dha as dorën pjesëtarëve të Vllaznisë) pritet të pasohet nga Adolfo Sormani, që me Partizanin e tij nuk fiton pas 6 ndeshjesh (5 humbje radhazi). Nëse konfirmohet, Superliga vendos rekord të ri për largimin e trajnerëve. Vetëm Ilir Daja te Skënderbeu dhe Dovedan te Bylisi nuk janë ndryshuar këtë sezon.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN