MENU
klinika

Mposht Partizanin në derbi

Tirana U-17 triumfon edhe në kampionat

21.06.2020 - 11:35

Cilësitë e akademisë bardheblu ditën e sotme i ka treguar ekipi U-17, teksa është zhvilluar derbi për këtë moshë, që konsistonte me finalen e Kategorisë Superiore U-17 dhe skuadra e Tiranës e ka dominuar ndeshjen në të gjitha aspektet.

Fituesit e Kupës kanë bërë një ndeshje spektakolare, duke qenë gjatë gjithë kohës dominues. Seria e golave është hapur nga një prej lojtarëve më premtues. Meçuli ka mundur të gjejë rrugën e rrjetës pas vetëm çerek ore lojë, duke i hapur rrugën e triumfit skuadrës së tij.

Tirana nuk ndalet me kaq dhe vazhdon sulmet drejt portës së Partizanit. Në minutën e 41’ ata fitojnë një penallti, por Qefalia tregohet i pasaktë në pikën e bardhë të 11 metrave. Në minutën e parë të pjesës së dytë Karaj arrin të shënojë golin e dytë dhe të sigurisë për skuadrën e tij.

Nuk mjafton me kaq, pasi vetëm katër minuta pas Karajt, është Birçe që merr stafetën e spektaklit dhe trefishon shifrat. Partizani nuk arrin të reagojë në asnjë moment dhe i lë Tiranës gjithë “skenën”, me bardheblutë që e shfrytëzojnë këtë luks dhe arrijnë të plotësojnë “pokerin” sërish me Birçen, që plotëson dopietën e tij në këtë ndeshje.

Kështu, Tirana është kampione e Kategorisë Superiore, Grupi A. Djemtë “e vegjël” e bënë të tyren, tani priten 19-vjeçarët (luajnë sot ndaj Partizanit) e më pas ekipi i parë, për të kurorëzuar më së miri 100-vjetorin e KF Tirana.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN