MENU
klinika

Akademia Europiane e Filmit

Vinca, aktorja kosovare përzgjidhet për karrierën

05.06.2020 - 20:22

      Aktorja e njohur kosovare Ilire Vinca, është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit. Vinca ka një karierë të pasur si aktore e filmit, teatrit dhe si profesoreshë e aktrimit në Universitetin e Prishtinës.

Ajo u bë e njohur edhe si aktorja e parë që mori pjesë në Berlinale, me filmin “Falja e Gjakut” në 2011, pastaj edhe me filmin “Burrneshat” në 2015, po ashtu në Berlinale. “Zana”, “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, “Gardhi” dhe “Martesa” janë disa nga filmat e fundit kosovarë, ku luan Vinca.

“Përderisa kufinjtë na ndajnë, arti na bashkon pa dallim race dhe gjinie, ashtu siç janë ndjenjat dhe e vërteta. Jam e nderuar të jem anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit” – u shpreh aktorja kosovare, Ilire Vinca.

Ilire Vinca është anëtarja e 25-të nga Kosova, që bëhet pjesë Akademisë Evropiane të Filmit.

Akademia Europiane e Filmit është formuar në vitin 1989 nga drejtuesi Ingmar Bergman, bashkë me anëtarët tjerë themelues, si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertoluçi, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj., dhe ka për qëllim që të bashkojë profesionistë europianë të filmit, në mënyrë që të promovojnë kulturën filmike të Europës. EFA inicion dhe merr pjesë në shumë aktivitete lidhur me politikën e filmit, si dhe me aspektet e ekonomisë, artit dhe trajnimit. Programi përfshin konferenca, seminare dhe punëtori, që kanë qëllim të përbashkët të ndërtojnë një urë në mes të kreativitetit dhe industrisë. Këto aktivitete kulmojnë në prezantimin vjetor të Çmimeve Europiane të Filmit, ku nderohen arritjet më të mëdha në kinemanë europiane.