Nga humbja në barazim, Inter tashmë ka humbur edhe vendin e tretë në Serie A. Zikaltrit barazuan 2-2 në Verona, në një ndeshje që e kishin në dorë fitoren, por nuk ia dolën.
Ishin vendasit ata që kanë kaluar në avantazh pas vetëm dy minutash me Lazovic. Mesfushori i verdhebluve ka lënë në vend Milan Skriniar dhe ka mposhtur Handanovic me një goditje të bukur.
Zikaltrit kthyen barazinë në minutën e 49-të. Goli është shënuar nga Candreva, i cili ka qenë në vendin e duhur pas shtyllës së goditur nga Lukaku. Në minutën e 55-të ka ardhur edhe goli i përmbysjes, i realizuar përsëri nga Candreva, që është ndihmuar nga një devijim i Dimarco-s.
Por Veloso në minutën e 86’ ka barazuar shifrat për vendasit dhe në vijim Verona edhe mund ta kishte fituar ndeshjen. Marash Kumbulla luajti titullar deri në minutën e 84’.