Numri i infeksioneve me Corona në SHBA ka arritur një nivel të ri të lartë. Pakënaqësia ndaj presidentit po rritet, thotë Oliver Sallet.
Vlerat e Donald Trump-it në sondazhe janë përtokë, dhe këtë ai e meriton. Sepse përgjegjësinë për këtë e mban ai vetë. Është hera e parë në presidencën e Trumpit që ai është dëmtuar me të vërtetë për shkak të politikave të tij të paparashikueshme. E megjithatë: Donald Trump është mjeshtër për të mbijetuar politikisht, fati i zgjedhjeve në asnjë mënyrë nuk është vendosur.
Joe Biden-i nuk është Hillary Clinton-i
Shumica e demoskopëve aktualisht mendojnë se mbështetja për të aktualisht është te 40 përqind. Ky president jo popullor që nga fillimi i mandatit të tij tani është edhe më jo popullor se kurrë. Por duhet të kemi kujdes: edhe në krahasim me Hillary Clintonin, Trumpi gjithmonë ndodhej pas. Në fund, mjaftoi një teori konspirative rreth me postën elektronike të Klintonit për ta kthyer fletën.
E qartë është: viti 2016 nuk është viti 2020 dhe kundërshtari i Donald Trump-it këtë herë nuk është Hillary Clinton, por Joe Biden. Dhe për masën e gjerë të votuesve, ai konsiderohet më i pranueshëm sesa ish-Senatorja nga New York-u, të cilën shumë e urrenin. Por edhe Biden-i ka probleme të mëdha në bagazhin e tij: kundërshtari i tij më i madh është ai vetë.
Në fushatën e tanishme elektorale, mbështetjen ai e siguroi para së gjithash duke mos bërë asgjë – sipas parimit: unë nuk po e shqetësoj Donald Trumpin në çmontimin e vetes.
Për javë të tëra, nuk u pa pothuajse asgjë nga Joe Biden, përveç disa mesazheve me video nga bodrumi i shtëpisë së tij në shtetin amerikan të Delaware.
A e përballon dot Bideni këtë detyrë?
Por sa më shumë afrohet dita e zgjedhjeve, aq më i madh bëhet presioni mbi 78-vjeçarin që të dalë më në fund në dritë nga bodrumi. Pandemia ishte justifikim i mirë për t’u fshehur, por ky stil pasiv i fushatës nuk do të mjaftojë më në javët e ardhshme. Dhe me aktivitetet e fushatës zgjedhore, do të rikthehen edhe gabimet për të ardhur rëndë të Joe Biden-it, të cilat shkaktojnë rregullisht një ndjenjë midis keqardhjes dhe turpit.
Cili ishte emri i presidentit nën të cilin Joe Biden ishte zëvendëspresident? A janë shumica e zgjedhjeve paraprake në SHBA të enjten e madhe apo të martën? Kur Joe Bidenit i merren këmbët për pyetje si këto, ai në rastin më të mirë duket nervoz, në rastin më të keq i moshuar.
Asi në mëngë i Trumpit: duelet në TV
Dhe pastaj janë edhe gratë, që e akuzojnë për ngacmime – në një rast edhe për shtrëngim seksual. A është ai me të vërtetë kandidati më i mirë që mund të ofrojnë demokratët? A e ka ai me të vërtetë epërsinë morale për t’i treguar vendin Donald Trumpit?
Makina e fushatës së Trumpit tashmë po ngrohet me reklamat në TV dhe në mediat sociale në shtetet e rëndësishme. Dhe Trumpi në post do të jetë veçanërisht në pritje të një lloji takimesh: të dueleve televizive, në të cilat ai arriti ta vinte në telashe edhe elokuenten Hillary Clinton katër vjet më parë. Është e vështirë të përfytyrohet se si do të dalë Joe Biden kundër Donald Trump në këtë skenë.
Donald Trump mund të ndodhet në tërheqje. Por zgjedhjet ai nuk i ka humbur aspak./DW/